“Ky virus na ndau”, Keidi Bare :Do doja të bashkohesha me shokët në Kombëtare, këtu më duan të gjithë

Keidi Bare është kthyer në një nga armët më të forta të Malagas në Ligën e Dytë spanjolle,duke qenë një motorr që nuk di të fiket në mesfushë. Madje vendin e tij ka nisur ta zërë edhe te Kombëtarja, ku në ndeshjet që ka luajtur ka treguar se e meriton fanellën kuqezi. Momentalisht i izoluar në shtëpinë e tij në qytetin spanjoll si pasojë e masave të marra për Covid-19, Bare ka folur në një lidhje direkte në emisionin “Fan Zone“ në “SuperSport“. Mesfushori fierak ka treguar se do të dëshironte që sot të ishte në fushë me Kombëtaren e Shqipërisë, por Koronavirusi ia mohoi një gjë të tillë, ndërsa ka prekur edhe temën e merkatos.

“Jam një tip që rri në shtëpi gjithmonë pas stërvitjes. Nqs dalim të gjithë nëpër rrugë e lokale atëherë përkeqësohet gjendja. Falë zotit kam familjen pranë dhe i kalojmë bashkë këto ditë të vështira. Flas edhe me shokët e më ikën koha shumë shpejt. Sadikun e kam këtu afër po nuk na lënë as të ikim edhe me makinë. Edhe me Manaj flas shumë. Nuk e kam lënë stërvitjen sepse më këshillon edhe babi nëse e lë një ditë atëherë do të lërë ajo një vit.  Sa i përket kombëtares do të doja të bashkohesha prapë me shokët por ky virus na ndau.

E ardhmja? Tani për tani kam kontratë me Malagën dhe nuk flas për diçka nëse nuk është e vërtetë. Kam pasur diasa oferta në janar, por atëherë është e vështirë të lëvizësh. Shpresoj të ndodhë diçka në verë megjithëse ndihem mire te Malaga.  Të gjithë më duan, edhe stafi teknik më do prandaj jam mirë edhe këtu. ”, ka thënë Keidi Bare./Sport Ekspres/