Kutrone bën prapakthehu: Marr fajin përsipër dhe kërkoj falje!

Milani ngeci në transfertën e Bolonjës mbrëmjen e së martës në një barazim zhgënjyes. Ekipi i Gatuzos u shfaq mjaft i paqartë në lojën e zhvilluar dhe nervozizmi që mbizotëron në skuadër u vu re dhe në momentin e zëvendësimit të Kutrones me Kastijehon.

Patrik Kutrone u revoltua shumë për vendimin e trajnerit, për ta zëvendësuar dhe reagimi i tij ishte mjaft i ashpër. Lidhur me këtë fakt, sulmuesi italian duket se ka bërë prapakthehu, duke kërkuar falje për episodin. Gjithashtu 20-vjeçari foli për ndeshjen e radhës dhe për partnerin e tij në sulm, Gonzalo Higuain.

EPISODI – “Ishte e gjitha një moment. E kuptova se bëra gabim, kështu që ia shpjegova trajnerit dhe i thashë që ishte një keqkuptim. Kërkova falje tek ai edhe te e gjithë skuadra. Kisha një lëndim edhe ndodhi një keqkuptim, për faktin në qoftë se mund të vazhdoja apo jo. E marr fajin përsipër, por çdo lojtar ka dëshirë të jap sa më shumë dhe të kontribuojë për skuadrën”.

NDESHJA E RADHËS – “Ne vazhdojmë të jemi të bashkuar, këtë gjë duhet të bëjmë në momentet e vështira. Duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme për sfidën ndaj Fiorentinës. Ata janë një kundërshtar me kualitet, por ne jemi të vetëdijshëm për kapacitetin dhe aftësitë tona”.

HIGUAIN – “E dëgjoj shumë Higuainin. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer, në fushë dhe jashtë saj. Ai është një person i mrekullueshëm. E dimë se sa i mirë është, se sa shumë mund të japë për Milanin dhe besojmë tek ai”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *