Kutinjo tek Barcelona, ja si do paguhen 160 mln

Deri në ditën e fundit para marrëveshjes mes Liverpulit dhe Barcelonës, të dy klubet kanë qenë hermetikë sa i përket shifrave të transferimit të Filipe Kutinjos në “Camp Nou”. Por mediat spanjolle dhe në veçanti ato angleze kanë munduar të zbulojnë të gjitha hollësitë e marrëveshjes 160 milionë eurosh mes Barcelonës dhe Liverpulit.

Ka qenë gazeta britanike “The Guardian” që ka zbuluar gjithçka. Kujtojmë se operacioni financiar i kalimit të brazilianit në “Camp Nou” ka kushtuar 160 milionë euro, nga të cilat 120 milionë euro direkt në llogarinë bankare të Liverpulit dhe 40 milionë të tjera në forma të ndryshme, në varësi të paraqitjes dhe arritjeve të Kutinjos me klubin e tij të ri, ku përfshihet dhe fitimi i Ligës së Kampioneve. Ky është dhe variabëli më problematik për Liverpulin, që mund t’i kushtojë 5 milionë euro Liverpulit, ndonëse duke parë këtë Barcelonë gjithçka është e arritshme.

Gazeta ka dhënë në detaje se si Liverpuli do të arkëtojë 40 milionë eurot e tjera nga transferimi i Kutinjos, detaje këto që nuk u pasqyruan as nga zëvendës presidenti i Barcelonës, Zhordi Mestre gjatë prezantimit të brazilianit. Ai deklaroi se këto hollësi financiare janë subjekt konfidencialiteti ndërmjet dy klubeve. Madje në mediat spanjolle qarkulluan dhe zërat se çmimi real i transferimit të Kutinjos tek barça mund të ishte më i ulët se 160 milionë euro, diçka e hedhur kategorikisht poshtë nga klubi anglez. Ndërkaq, “The Guardian” ka dhënë dhe në hollësi  katër pikat se si Liverpuli do të përfitojë 40 milionët e mbetura nga Kutinjo:

  1. 5 milionë euro nëse Kutinjo luan 25 ndeshje me Barcelonën;
  2. 20 milionë euro kur Kutinjo të arrijë 100 ndeshje me Barçën;
  3. 10 milionë euro për dy kualifikimet e radhës të Barcelonës në Ligën e Kampioneve;
  4. 5 milionë euro nëse Barcelona fiton Ligën e kampioneve deri në mbylljen e kontratës së Kutinjos me këtë klub në vitin 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *