Kushta: Partizanit i kanë “humbur” sulmuesit, eliminimi jo dramë!

0

Luftëtari befasoi Partizanin, duke e eliminuar nga Kupa e Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por e mundi në të dyja ndeshjet. Gjirokastritët e shfrytëzuan mjaft mirë momentin e të kuqve, ndërkohë që nuk e bën dramë eliminimin legjenda vlonjate Sokol Kushta.

Ish-sulmuesi i Partizanit dhe i Kombëtares deklaron për SportEkspres.com se të kuqve u kanë humbur sulmuesit. “Nuk e quaj ndonjë gjë të madhe eliminimin e Partizanit në Kupë. Në botën e futbollit ka skuadra të mëdha që luftojnë në të gjitha frontet për trofe dhe ndodh të eliminohen nga inferiorë. Në këtë rast, te Partizani mendoj se lojtarët e kanë marrë lehtë përballjen me Luftëtarin. Ata nuk janë kukulla, por brenda realitetit që jetojmë.

Kjo ‘gomë’ që bënë në Gjirokastër, mund t’i kishte ndodhur në kampionat”, theksoi Kushta. Më tej ai flet edhe për çështjen e titullit kampion dhe ka një porosi për drejtuesit. “Kështu siç po ndodh me golashënuesit te Partizani, ku mesfushorët kanë shënuar më shumë gola se sulmuesit, këta të fundit duken të humbur. Partizani nuk duhet ta diskutojë titullin. Madje duhet të mendojnë që tani për sulmin kur të përfaqësohen në Ligën e Kampioneve”, përfundoi Sokol Kushta.

AGRON KAJA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.