“Kurrë mos e nënvlerëso zemrën e kampionit”, mesazhi i Asanit që Lerda nuk kuptoi dot kurrë

Franko Lerda është një histori e mbyllur te Partizani, ndërsa në ditën e sotme erdhi edhe shkarkimi i tij. Por që nga koha e ardhjes tek të kuqtë, më shumë kemi dëgjuar për grindjet me lojtarët në fushë, sesa për arritjet pozitive prej tij.

Pastaj situata me Jasir Asanin ishte tërësisht e pakuptueshme, mes një luhatje që madhe që askush nuk mund t’i jap shpjegim. Lojtari më i mirë i Partizanit mbetet jashtë për shkak të zgjedhjeve të Lerdës. Në javët e fundit lojtari në fjalë do të shënonte, ndërsa goli erdhi si dedikim për trajnerin ku pati edhe një përfaqim mes tyre.

Gjithçka u sheshua! Të paktën, ky ishte mesazhi që morëm në ato momente. Por tekniku italian surprizoi sërish duke e lënë jashtë në derbin e Shqipërisë, në “Air Albania” dhe mes 20.000 tifozëve. Në një ndeshje ku edhe ish-lojtarëve të dy ekipeve do t’i mbetet peng që nuk e zhvillojnë karrierën e tyre sportive në këto kohë, e jo më nëse flasim për Asanin, që dihet se është një prej më të mirëve te Partizani.

Pika kyçe ishte në kohën e Gegës, kur u fitua edhe titulli kampion. Por për Lerdën asgjë nuk kishte rëndësi. “Kurrë mos e nënvlerëso zemrën e kampionit”, shkruan në “Instagram” Asani pas largimit të trajnerit, me mesazhin që është shumë i qartë, megjithëse Lerda erdhi dhe u largua pa ia kuptuar kurrë vlerat. /Sport Ekspres/