Kurioziteti, Shqipëria e Panuçit nis të “zotërojë” topin!

 

E çuditshme por e vërtetë: kuqezinjtë, si në Strumica, ashtu edhe në Alikante, dy transferta delikate, kanë ruajtur një parametër mbi 40% zotërim topi, teksa ndaj Spanjës pasimet ishin 75% të sakta

“Nuk habit fakti që Spanja sulmon dhe mban topin, por që Shqipëria nuk qëndron në mbrojtje por sulmon”. Komentatorët spanjollë dhe mediet, pas 10 minutash lojë në stadiumin e Alikantes, menjëherë dolën me këtë verdikt, teksa në minutën e 30-të të pjesës së parë të ndeshjes Spanjë-Shqipëri, zotërimi i topit ishte 70% me 30% për skuadrën e Lopeteguit që, më pas, në mënyrë krejt të pritur, ulën ritmin. Dhe, në fund të ndeshjes, sipas statistikave të mbledhura nga UEFA, përqindja e topit u ul ndjeshëm te spanjollët dhe u ngrit nga djemtë e Panuçit, që krijuan gjashtë raste të pastra për gol dhe goditën dy herë shtyllën në atë që, sipas medieve spanjolle, ishte “paraqitja më e bukur e skuadrës kombëtare, në këto eliminatore”.

Zotërimi i topit ishte 57% me 43% dhe, nëse bëhet një kthim në kohë, dallohet qartë se vetëm ndeshja Spanjë-Itali ishte ajo që pa të barabartë përqindjen e topit, me skuadrën që njihet për “tiki-taka”-n dhe që topin preferon ta mbajë. Italia e Venturës e mbajti 50%, po aq sa ekipi “Roja”. Praktikisht, kuqezinjtë e Panuçit kanë bërë po aq sa Italia në Spanjë dhe, duhet theksuar, ndaj axurrëve, skuadra e Lopeteguit nuk ka pësuar kaq shumë raste sa ndaj Shqipërisë. “Nuk jam i kënaqur pas 3-0, sepse lëshuam shumë. Nuk ishte aspak e lehtë ndaj kuqezinjve, mos shihni rezultatin. Luajtën shumë mirë dhe na krijuan raste”, u shpreh tekniku spanjoll.

Por, ajo që është dalluar në këto dy ndeshjet e Shqipërisë jashtë fushe, pra të aventurës së Panuçit (duke anashkaluar Lihtenshtejnin) është se përqindja e topit ka qenë thuajse identike si në Maqedoni, ashtu edhe Spanjë. Në fakt, edhe me Pandev e shokë, e mbyllëm me 42%, një më pak se sa në Spanjë. Duke bërë analizën e ndeshjeve të Spanjës brenda fushe, në grupin tonë, Shqipëria renditet e dyta duke lënë pas Spanjë-Lihtenshtejn (62-38%), Spanjë-Maqedoni (70-30%) dhe Spanjë-Izrael (72-28%).

Pasimet – Duke u ndalur te dy ndeshjet e fundit, ndaj Spanjës, skuadra kuqezi, ndoshta edhe për faktin se përballë kishte iberikët, ka bërë më shumë pasime të sakta se sa në Maqedoni. Thuajse 75% të pasimeve në total (pra, 304) ishin të sakta (237 të kompletuara). Ndaj Maqedonisë ishin 380 pasime në total, me 328 të kompletuara, pra 52diferencë. Edhe tentativat për gol kanë qenë në Spanjë identike me ato në Maqedoni. Praktikisht, një linjë e njëjtë nga Panuçi, që tashmë ka provën e së vërtetës në “Loro Boriçi”, ndaj Italisë.

 

Spanjë-Itali

50-50%

Spanjë-Shqipëri

57-43%

Spanjë-Lihtenshtejn

62-38%

Spanjë-Maqedoni

70-30%

Spanjë-Izrael

72-28%

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *