Kura Kuman po jep efekt, Holanda vijon ringjalljen edhe në Belgjikë

Ringjallja e Holandës ka vazhduar edhe sot, me Tulipanët që kanë marrë një barazim 1-1 në Bruksel, kundër Belgjikës.

Arnaut Gruneveld shënoi golin e tij të parë me fanellën e Holandës, ndërsa skuadra e drejtuara nga Ronald Kuman mori një rezultat pozitiv në një miqësore të vështirë, duke luajtur pa kapitenin Virxhil van Dijk.

Belgjika shënoi që në fillim, kur Eden Hazard depërtoi bukur në të djathtë dhe më pas topi shkoi te Mertens, i cili shënoi me një goditje të fuqishme me të djathtën.

Më pas Lukaku humbi një rast të mirë, ndërsa në krahun tjetër Depaj humbi një rast të shkëlqyer i vetëm me portierin belg Minjole.

Megjithatë, pas 27 minutash gjithçka u kthye në baraspeshë, sepse Depaj dha një pasim të mrekullueshëm në qendër dhe Gruneveld gjeti golin e tij të parë, në ndeshjen e dytë me kombëtaren. Para pushimit Holanda i shkoi shumë pranë golit me Promes, ndërsa Hazard humbi një rast të mirë për Belgjikën.

Në 45 minutat e dyta nisën ndërrimet dhe Batshuaji humbi dy raste të mira, ndërsa Nathan Ake i shkoi pranë golit, por u ndal nga Minjole, me Belgjikën që barazoi për herë të parë në 13 ndeshjet e fundit.

Barazimi ishte me shumë vlerë morale për Holandën, që vazhdon të rritet me trajnerin Kuman.

Në miqësoret e tjera, Danimarka mundi 2-0 Austrinë me gola nga Lukas Lerager e Martin Braithuajt, ndërsa Suedia e Sllovakia u ndanë në barazim 1-1, me golat e Guidetit dhe Albert Rusnak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *