Kur shkarkimi të mbulon me “ar”, tre kandidatë për pasuesin e Murinjos

Zhoze Murinjo firmosi me Mançester Junajtid me 27 maj të vitit 2016 dhe të gjithë tifozët e “Djajve të Kuq” u gëzuan, pasi menduan se klubi kishte arritur të gjente pasardhësin perfekt të Sër Aleks Ferguson. Skocezi është një legjendë e vështirë për t’u zëvendësuar dhe ashtu ndodhi.

Aventura e portugezit me klubin e famshëm nuk zgjati shumë dhe sot erdhi shkarkimi i tij. Prej kohësh stoli i 55-vjeçarit ishte në rrezik dhe shkaqet janë të shumta. Mungesë rezultatesh, lojë e vakët dhe defensive, ndërkohë që te Junajtid ishin mësuar me një tjetër stil futbolli. Por, ndikim në këtë vendim pati dhe marrëdhënia e vështirë e Murinjos me lojtarët e ekipit dhe mos menaxhimi i mirë i situatës.

“Djajtë e Kuq” renditen në vendin e gjashtë me 26 pikë pas 17-të javëve. Diferenca me Liverpulin kryesues është 19 pikë dhe kjo është nisja më e keqe e sezonit në 28 vitet e fundit për ekipin nga Mançesteri.

Paga e madhe e trajnerit mbetej një problem dhe kjo çoi në vonesën e shkarkimit të tij. Të dy palët luajtën shah, por drejtuesit e Junajtid nuk duruan më dhe sot e shkarkuan trajnerin. Siç raporton “The Sun”, ata do të detyrohen t’i paguajnë tashmë ish-trajnerit të tyre plot 24 milionë sterlina. Murinjo rinovoi në janar të këtij vitit kontratën deri në vitin 2020 dhe gjithçka ishte e parashikuar, nëse ai do të shkarkohej.

Nga ana tjetër, kanë dalë në skenë dhe emrat e parë që mund të pasojnë portugezin në stolin e Junajtid. Zinedin Zidan mbetet favoriti kryesor, i ndjekur nga Antonio Konte dhe Mauricio Poçetino. Dy të parët janë në avantazh, pasi për momentin janë trajnerë të lirë, ndërsa argjentinasi do të mbyllë sezonin me Totenhemin. Kandidatë për stolin janë dhe dy francezët: Lorent Blank dhe Arsen Venger.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *