Kur sheh Vardarin, e kupton se çfarë është… Skënderbeu

0

Në Shkup investimet në futboll janë të rëndësishme. Pasi ndërtuan një stadium kombëtar, prej tre vitesh janë përqendruar në Vardar. Një klub i organizuar deri në detaje, një kompleks stërvitor jashtë logjikës së këtij shteti, biznese ruse që financojnë dhe një buxhet prej të paktën 3 milionë euro në sezon. Në Europa Ligë deri tani kanë qenë një dështim. 3 humbje dhe 14 gola të pësuar, skuadra më e dobët që merr pjesë. Në këtë aktivitet nuk ka asnjë skuadër boshnjake e malazeze. Nuk janë as sllovenët, ndërkohë që nga kroatët ka rezistuar vetëm Rijeka. E parë në këtë këndvështrim, Skënderbeu të duket një super ekip. Patjetër që gjithkush ka të drejtë të kërkojë diçka më shumë, por 2 pikë pas 3 ndeshjeve dhe barazimet më shumë se dinjitoze kundër Jang Bojs dhe Partizani i Beogradit janë tregues i qartë i faktit që kjo skuadër është rritur e pjekur në mënyrë të jashtëzakonshme. Për më tepër duhet parë dhe si një krenari futbollistike kombëtare për momentin. Krahasimet duhen bërë me rajonin dhe këtu në “zonën” pranë nesh nuk jemi keq përkundrazi. AEK ka bërë diçka më shumë, me 5 pikë në 3 ndeshje, por grekët janë dhe kanë qenë gjithnjë një hap më parë. Sidomos grekët që vijnë nga ekipet e Athinës.

Kish dyshime nëse Skënderbeu ishte në nivelin e Partizanit të Beogradit dhe ky kuriozitet ishte i drejtë. Partizani na ka mësuar se ka lojtarë të fortë, janë një makineri për prodhimin e lojtarëve dhe luajnë një futboll agresiv.

Ndeshja e së enjtes konfirmoi se Skënderbeu sot për sot është “kokë më kokë” në të gjithë elementët me skuadrën më të mirë serbe të pesë viteve të fundit. Skënderbeu është i barabartë në lojë, në skemë, në cilësi, në qarkullim topi, e madje dhe në sulm. Tauamba i Partizanit dhe Soue i Skënderbeut ngjanin si dy pika uji. Dhe të mendosh që buxheti i kampionëve të Serbisë është të paktën 3-4 herë më i lartë.

Progresi i Skënderbeut në arenën ndërkombëtare është i ndjeshëm. Atë që Skënderbeu po bën sot, klubet serbe, kroate e greke e kanë bërë të paktën 10 vite më parë në kupat e Europës. Skuadra e momentit në Shqipëri i ka djegur etapat me shpejtësi dhe sot të gjithë kanë një lloj pendese që ende nuk kanë marrë asnjë fitore. 10 vite më parë nuk guxonte kush të mendonte se ne mund të ishim në këto nivele.

Me ndërgjegje duhet rikthyer te Vardari. Ata janë debutues njësoj si Skënderbeu dy vite më parë. Shija që ata po lënë nuk është e mirë dhe për të gjithë Evropën janë për momentin shënjestër dhe tabelë qitjeje. Skënderbeu ka pësuar vetëm 2 gola në 6 ndeshjet e këtij edicioni në fushën tonë, Vardar 6 i pëson vetëm në një ndeshje. Skënderbeu është një realitet. Kujtoni deklaratën e trajnerëve të Jang Bojs dhe Partizanit. Këtu në Shqipëri barazimi ishte jo vetëm rezultati më i drejtë, por madje dhe i kënaqshëm. Të shohim se ç’do bëjë Skënderbeu jashtë fushe. Ka ardhur moment të kalojë një tjetër hap në aventurën europiane.

Gjergji Stefa

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image