Kur pasioni takon kombin

0

Ironia e fatit lind në Shkodër. “Djepi” i futbollit shqiptar që furnizon kombëtaren, akuzohet për dashamirësinë e tepruar për Gjermaninë. Intervistë me Armando Lohjen, i cili parashikon si do ta presin shkodranët Kampionatin Evropian, aty ku “flirti” mund të ndeshet me “martesën” kuqezi


 

Markoled Pashuku

Një “zojë e randë” vazhdon të qëndrojë kryelartë në veri të Shqipërisë. Këtë peshë natyrore e ka “me ligj” nga historia, kultura, virtytet dhe ngjarjet e saj. E ka në gjak. Jemi mësuar të themi se forca e saj mistike është humori. Pra, e kuptuat, është Shkodra. Por edhe nëse dyshuat, mos u turpëroni, sepse populli i vet veçse ka harruar buzën “ndezur”, ashtu si edhe shtëpinë e vet të dytë, “Loro Boriçin”. Një motiv gëzimi për të, Vllaznia, po kalon vite shumë të vështira. Të vetmet ditë kur Shkodra “vlon” me dashurinë e saj për futbollin janë finalet e Botërorëve dhe Evropianëve, e dënuar të “flirtojë” me një … kombëtare të huaj, Gjermaninë. A është ky një mëkat? Sigurisht që jo! Shkodranët jetojnë me lojën dhe e kërkojnë me ngulm të bukurën. Duan futboll, sidomos kur përfshihet edhe konkurrenca dhe shansi për ta ndjerë veten “virtualisht” kampionë. Nuk është pak të kalosh rreth një dekadë pa trofe. Rrjedhimisht, ky qytet ka një ironi fati. Edhe pse i gëzohet akademisë së famshme dhe prurjeve në kombëtare, është akuzuar për “mungesë patriotizmi” për shkak të festimeve për sukseset e kombëtares gjermane. Sivjet ndryshoi gjithçka, sepse Shqipëria u kualifikua në Kampionatin Evropian “Francë 2016”.

Armando Lohja
Lohja me gazetën “Sport Ekspres” të datës 14 korrik 2014, një ditë pas shpalljes kampione bote të Gjermanisë në “Marakana”.

Kështu, për të mësuar paraprakisht si do ta përjetojnë shkodranët Evropianin e vitit të ardhshëm, kemi pyetur specialistin e kulturës në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Bashkinë Shkodër, Armando Lohja, i cili është një dashamirës me emër i futbollit gjerman, për më tepër tifoz me Borusia Dortmundin. Ai shpjegon lidhjen e shkodranëve me Gjermaninë, por gjithashtu përpiqet me forcë të theksojë se qyteti verior nuk ka shans të brohorasë për kombëtare tjetër përveç asaj kuqezi në “Francë 2016”.

– Zoti Lohja, jeni mësuar duke ndjekur vetëm Gjermaninë në turnetë ndërkombëtarë, për të cilën keni bërë tifozllëk. Kësaj here do të jetë kombëtarja shqiptare në Evropian. Një përjetim ndryshe, apo jo?

– Ky kompeticion është krejt tjetër nga ato të mëparshmit. Shqipëria është pjesë e saj. Pra, çdo shqiptar nuk e ka më zemrën në kraharor, por në mes të Francës. Sinqerisht, që tani po drithërohem nga emocionet që pres t’i përjetoj dyfish në qershor. Kujtoj ndeshjen që zhvilluam në Itali, një emocion i papërshkrueshëm, me atë stadium të veshur kuq e zi. Ne po përjetojmë ëndrrën. Tani le të mendojmë të gjithë në heshtje me plot dashuri për vendin dhe flamurin tonë.

– Nëse Shqipëria përballet me Gjermaninë, zemrën do ta “ndani”, apo kjo pyetje për ju nuk vlen fare?

– Ne kemi luajtur më parë në Eliminatore me Gjermaninë dhe një përballje me “pancerat” nuk do të ishte një risi. Ashtu si gjithnjë, ne do të bëjmë tifozllëk për vendin tonë. Unë i kam parë pothuajse të gjitha ndeshjet e kombëtares kundër gjermanëve në Tiranë. Madje, në vitin 2001 kam qenë në hollin e “Rognerit”, ku kam biseduar me disa prej lojtarëve të Gjermanisë. Në atë kohë trajner ishte Rudi Fëler. Ah, se harrova! Në 1996-n kam takuar Berti Fogtsin në “Qemal Stafa”. Kam edhe një fotografi me të. Mbaj mend që pas ndeshjes mua më përshëndeti vetëm Matias Zamer, ngaqë isha i vetmi që mbaja shallin e Borusia Dortmundit, skuadrës ku luante ai. Përgjigjja ime dihet. Ne shkodranët bëjmë tifozllëk për Gjermaninë nga instikti, kurse dashuria për kombëtaren kuqezi kalon çdo dimension.

Foto1
Futbolldashësit shkodranë duke festuar një fitore të Gjermanisë në Botëror

Kur fiton Gjermania, në qytetin e Shkodrës rrugët kryesore “pushtohen” me tifozë të cilët mbajnë veshur fanellat e kampionëve të botës, madje edhe flamuj. Ka pafund video në internet që e dëshmojnë këtë. Si e shpjegoni që ka kaq shumë tifozë të Gjermanisë në Shkodër?

 

Foto2
Shkodra, në festë për kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Evropian “Francë 2016”

– Jo më kot e përmenda instiktin. Besoj se kemi ngjashmëri me gjermanët dhe kjo është shpjeguar edhe shkencërisht. Në SHBA, në vitin 1950 është botuar një libër me titull “The Mountains of Giants: A Racial and Cultural Study of the North Albanian Mountain Ghegs” (Malet e gjigantëve: Një studim racor dhe kulturor i malësorëve gegë në veri të Shqipërisë). Ky libër kishte për autor profesorin e Universitetit të Harvardit, Karleton Kun. Bëhet fjalë për një studim antropologjik nga viti 1929 deri në vitin 1930. Ai kishte kryer studime antropologjike të banorëve të Malësisë, duke marrë të dhëna fizike dhe duke studiuar jetën dhe zakonet e tyre. Kun arriti në përfundimin që malësorët dhe pothuajse e gjithë pjesa gegë e trojeve shqiptare kanë të dhëna gjenotipike të ngjashme me gjermanët dhe austriakët; hunda pa majë, fytyra e gjerë, nofulla më e rëndë, etj. Unë kështu e shpjegoj faktin që shumica e tifozëve gjermanë këtu janë njerëz me karakter të fortë dhe impulsivë. Natyrisht, mund të ketë edhe teza të tjera.

– Si e mbroni veten përballë “akuzave” që Shkodra feston më pak për Shqipërinë dhe më shumë për Gjermaninë?

–  Nuk më duken akuza serioze. Shkodra është pjesë e rëndësishme e identitetit kombëtar, njihet për kontributin e saj në shumë fusha të jetës. Ne shkodranët e trajtojmë gjithçka me emocion dhe me humorin karakteristik. Kjo bën që t’i theksojmë gjërat, por kurrsesi ta teprojmë. Ne jetojmë me sportin dhe të dëshmosh pasionin tënd – qoftë edhe për një skuadër të huaj – nuk është mëkat.

 


Kur “Vizion Plus” kritikonte shkodranët

Televizioni “Vizion Plus” më 14 korrik të vitit të kaluar raportonte lajmin e festës së Shkodrës për shpalljen kampione bote të Gjermanisë. Me një kritikë të lehtë, në kronikën në fjalë theksohet fakti se festa të tilla janë konsideruar të ekzagjeruara edhe në mediat ndërkombëtare, edhe pse – faktikisht – nuk citohet asnjë e tillë. “Fitorja e Kupës së Botës nga Gjermania ka ndezur edhe një herë Shkodrën nga tifozët e shumtë gjermanë. Ashtu siç ishte paramenduar, fitoja e “pancerave” dyndi shumë tifozë në qendër të qytetit, të cilët festuan me entuziazëm ngritjen e kupës. Pamje të tilla që mund të shijohen në rrugët e Berlinit apo Mynihut, në Shqipëri i ofron qyteti i Shkodrës. Këto festime shpesh janë komentuar si të ekzagjeruara edhe nga mediat ndërkombëtare, por në qytetin verior tradita e festimeve për fitoret e Gjermanisë vazhdon”, – raportonte televizioni kombëtar.

 


Mateus Frroku: Për trofeun, do të bëj tifo për Gjermaninë!

Rrëfimi i këngëtarit me origjinë shkodrane: Gjaku im është kuqezi, por ka edhe pak ngjyrë të verdhë brenda!

Mateusi
Shkodra, në festë për kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Evropian “Francë 2016”

Në Shqipëri ekziston edhe një fenomen tjetër. Shumë djem kanë marrë emrin e ish-yjeve të mëdhenj të futbollit … të huaj. Kushdo prej nesh ka shokë me emrin Jurgen, Klinsman, Mateus, Gerd apo Mikael. Për të marrë vesh nëse kjo “tendencë” do të transmetohet, por me emra futbollistësh shqiptarë, ne pyetëm sërish një tifoz gjerman me origjinë po nga Shkodra. Ai është këngëtari i mirënjohur Mateus Frroku, i biri i gazetarit me përvojë të kronikave sportive, Tonin Frroku, tifoz gjerman “në palcë”. Nuk do shumë mend për të kuptuar pse Mateusi mban këtë emër, por ja si e shpjegon ai për “Sport Ekspresin”: “Sigurisht që ideja ishte e babait tim. Unë linda më 9 qershor 1990 dhe kushdo që është tifoz gjerman kujton detaje të finales së Botërorit të atij viti, kur mesfushori Lotar Mateus i dha Gjermanisë trofeun e kampiones së botës. Ajo ditë ndryshoi emrin tim, pasi ishte menduar një tjetër. Shumë mirë që ndodhi ashtu, sepse sot do të quhesha Elton Frroku, një tmerr i vërtetë (qesh)!” I pyetur nëse ai vetë tani po mendon që djali i vet të marrë emrin e një lojtari të kombëtares shqiptare, meqë Lorik Cana me shokë tani konsiderohen heronj me kualifikimin në Evropian, Mateusi na u përgjigj: “S’e di. Nuk është ende koha për të menduar për këtë dhe s’jam i sigurt nëse do ta ndjek ‘traditën’ e familjes.” Dhe, për ta mbyllur ne e pytëm Mateusin se mos duhet të dyshojmë se cilën skuadër do të mbështesë në Francë vitin tjetër. Përgjigjja e tij qe mjaft befasuese: “Kualifikimin e Shqipërisë e ndieva si çdo shqiptar, me krenari dhe plot lumturi. Sigurisht që gjakun e kam kuq e zi, por brenda këtij gjaku ka edhe pak ngjyrë të verdhë (qesh). Pra, flamuri gjerman është përsëri pjesë e ndjesive të mia të futbollit. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë. Evropiani është një hapësirë e panjohur për ne dhe nuk menaxhohet lehtësisht. Për ne është fitore e madhe që arritëm aty, ndërsa për Gjermaninë do të bëj tifozllëk për marrjen e titullit”, – përfundoi Mateusi (ai i muzikës) sërish me një të qeshur.

 

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image