Kur Kosova ka seriozisht një Shpresë

Fitore e pastër 2-0, një futboll shumë i mirë, shumë talent e mbi të gjitha 10 pikë të grumbulluara deri tani. Kujt ia kishte pritur mendja që debutimi i skuadrës Shpresa të Kosovës në arenën ndërkombëtare do shoqërohej jo vetëm me lojë dhe me lojtarë shpresëdhënës, por edhe me rezultate interesante në kufijtë e impresionueses për një debutim të tillë. Fitorja kundër Azerbajxhanit, e arritur në kushte jashtëzakonisht të vështira atmosferike, ishte tregues se Kosova e ka të ardhmen e garantuar. Ky grup djemsh premton se nëse me ta punohet ashtu si duhet në harkun e disa viteve do e shndërrojnë Kosovën në një skuadër përfaqësuese të denjë për të kërkuar kualifikime në Kampionate Europiane dhe Botërore.

Sidomos goli i parë kundër Azerbajxhanit ishte një i tillë i jashtëzakonshëm, një gol model për nga mënyra e ekzekutimit, qetësia në pasime dhe vendosmëria për të mos shpërdoruar asnjë centimetër e për t’i shkuar aksionit deri në fund.

Katërshja e sulmit, Sulejmani që luan në Gjermani, Broja që luan në Maqedoni, Hasani në Hungari e Daku te Llapi në ligën e Kosovës, kanë argëtuar njerëzit gjatë gjithë 90 minutave dhe freskia e tyre solli fitoren dhe gjithashtu fjalët më të mira të opinionit publikut.

Përfaqësuesja e madhe e Kosovës kaloi një edicion të shkuar problematik, mori vetëm një pikë dhe pësoi një thes me gola, por më së shumti ai ngjante si një tranzicion. Kosova Under-19 kaloi turin e parë kualifikues në Europian, skuadra e 21-vjeçarëve për momentin gjendet në vendin e dytë, ndërsa prurjet e reja që vazhdojnë të vijnë kërkojnë tani domosdoshmërisht një menaxhim më të mirë, në që mënyrë procesi i rritjes për Kosovën të kalojë sa më shpejt e të shndërrohet në një realitet të qëndrueshëm.

Gjergji Stefa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *