Kur flet mbreti: Ronaldo vlerëson Juven më shumë se Reali dhe i lëshon sfidën Mesit

Vetëm pak muaj në Itali dhe Kristiano Ronaldo duket një italian i vërtetë, sikur ka një jetë që luan te Juventusi, sepse është ambientuar në mënyrë perfekte, me 10 gola e 6 asiste që flasin vetë për rëndësinë e portugezit në formacionin bardhezi.

Kalimi në Itali i ka bërë mirë edhe psikologjikisht yllit të Portugalisë, i cili nuk e fsheh këtë gjë: “Jam shumë i lumtur në Torino, qyteti është i këndshëm, tifozët të sjellshëm dhe Juve është një klub fantastik, me organizim mbresëlënës. Është grupi më i mirë me të cilin kam punuar ndonjëherë, përshtypjet e deritanishme janë fantastike. Këtu jemi një skuadër, gjetkë dikush ndihet superior ndaj të tjerëve, por jo në Torino, këtu janë të gjithë në një linjë, të përulur dhe duan të fitojnë. Nëse Dybala apo Mandzukic nuk shënojnë, sërish janë të qeshur, e shoh qartë diferencën. Edhe në Madrid janë të përulur, por këtu e ndjej që janë edhe më shumë. Është shumë ndryshe nga Madridi, këtu është si një familje“.

Zgjedhja e Juves ka qenë idealja: “Kisha disa mundësi, nuk ua them cilat, por mendova se Juve ishte një klub me stabilitet, ka histori, ka luajtur dy finalet e fundit në Champions dhe ka fituar 7 kampionatet e fundit. Detajet e vogla e bëjnë diferencën, mendova për të gjitha, duke nisur nga atmosfera në Juventus Stadium. Tani jam i sigurt 100% që ishte mundësia më e mirë“.

Tani Ronaldo kërkon Champions numër 6 në karrierë, trofe që Juve nuk e ngre prej më shumë se dy dekadash: “Champions nuk mund të kthehet në fiksim, duhet menduar me qetësi. Te Reali ishte e njëjta situatë, Decima (Champions numër 10) ishte kthyer në fiksim, por kur e fituam u relaksuam dhe sukseset e tjera erdhën natyrshëm. Nëse ndeshemi me Realin? Nuk ka rëndësi, e shkuara është e shkuar, tani dua të fitoj me Juven. Shoh që shkruani për Hames, Bejl, Asensio, por me ndershmëri e them që Juve nuk ka nevojë për blerje të tjera. Nuk e di në të ardhmen, pyesni presidentin. Marselo është shumë cilësor dhe ne i mirëpresim lojtarët cilësorë“.

Dy fjalë për Alegrin: “Është shumë profesionist, serioz, trajner i shkëlqyer dhe zbavitës, i thotë gjërat hapur, duke përmendur emrat, pa pasur frikë se nuk po tregohet diplomatik“.

Ronaldo ka edhe një sfidë të madhe për rivalin e përjetshëm Lionel Mesi: “Unë kam pasur sukses në çdo klub ku kam luajtur, nuk më pëlqen të më krahasojnë me të tjerët, nuk është e drejtë. Shifrat flasin vetë, nëse shihni statistikat e kuptoni qartë. Kam provuar të arrij suksesin me kombëtaren dhe klubet, kam guxuar duke lëvizur në karrierë, duke dalë nga zona e rehatisë. A më mungon Mesi? Jo, ndoshta i mungoj unë atij… Unë pëlqej sfidat, kam luajtur në Angli, Spanjë, Itali e Portugali, ndërsa ai qëndron në Spanjë. Do më pëlqente që të vinte në Itali, një ditë. Le të bëjë si unë, të pranojë sfidën. Megjithatë, ai është një lojtar fantastik dhe djalë i shkëlqyer, nëse është i lumtur në Spanjë, e respektoj“.

Topi i Artë: “Unë mendoj se e meritoj çdo vit, punoj për këtë gjë, por nëse nuk e fitoj nuk është fundi i botës. E respektoj vendimin. Në fushë kam dhënë gjithçka dhe shifrat nuk gënjejnë, por mos kujtoni se nuk jam i lumtur meqë nuk fitova. Kam gjithçka nga jeta, ju kujtoni se shkoj në shtëpi dhe qaj për një Top të Artë? Zhgënjim po, por jeta vazhdon, përgëzime për Modriç, sepse e meritoi, por vitin e ardhshëm do jem sërish aty, në garë për trofeun”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *