Kupa/ Reagimet e trajnerëve pas ndeshjeve të mbrëmjes

0

Gjoka: Tirana e meritoi

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, ka pranuar qetësisht disfatën e parë sezonale: “Tirana e meritoi, nuk kam asnjë ankesë. Humbje e merituar, edhe pse në pjesën e dytë u përmirësuam. Duhej të ishim më të përqendruar, sepse mund ta evitonim këtë humbje.

Synimet? Asgjë nuk ka ndryshuar, kemi edhe një ndeshje kthimi dhe mund të qëndrojmë në garë për të dy trofetë.

Nënvlerësim? Jo, nuk besoj kështu. Golat erdhën si pasojë e disa gabimeve të vogla, por skuadra u impenjua dhe nuk ka nënvlerësim. Skuadra është plotësisht e përgjegjshme dhe jep gjithmonë maksimumin”.

 

Josa, ende i pakënaqur me sulmin

Trajneri bardheblu  Mirel Josa ka mbetur i kënaqur përgjysmë nga fitorja kundër Kukësit, pasi goli i pësuar rrezikon kualifikimin: “Unë pashë skuadrën që luajti mirë, dha maksimumin, por shoh edhe lojtarë që nuk janë në maksimumin e vet. Në pjesën e parë luajtëm më mirë, ishim më kërkues, ndërsa në pjesën e dytë Kukësi na vendosi në vështirësi.

Sulmuesit Ede e Sise luajnë më shumë për faktin se nuk kam alternativa, jo se janë realisht cilësorë. Presidenti ka investuar, por në janar ne mbetëm me këta lojtarë. Lëvizja e tyre, si dhe bashkëpunimi me skuadrën apo lëvizjet individuale të tyre nuk më kënaqin”.

 

Mezani: Neglizhim i pafalshëm

Trajneri i Flamurtarit, Gentian Mezani, e ka quajtur neglizhim humbjen ndaj Besëlidhjes dhe ka kërkuar reagim që në ndeshjen e radhës: “I druhesha këtij takimi, por skuadra ka neglizhuar në fillimin e çdo pjese. Është e pamundur të bëhen gabime të tilla, jam shumë i zhgënjyer. E kisha me frikë këtë ndeshje, pasi ndoshta ka ndikuar fakti që përballeshim me një skuadër të Kategorisë së Parë dhe skuadra nuk m’u duk e përqendruar.

Unë dua të shoh karakter tani e tutje, sepse është e papranueshme që të humbasim në mënyrë të tillë, sidomos në fushën tonë. Mendoj se duhet të jetë një mësim i mirë për ne, duke nisur nga stafi e deri te lojtarët, sepse çdo ndeshje duhet trajtuar me përqendrim të njëjtë si në ndeshje me skuadrat kryesuese në Superiore. Duhet të mendojmë edhe për ndeshjet e kampionatit, por nuk është justifikim, duhet të tregojmë karakter dhe të reagojmë që në ndeshjen e radhës”.

 

Bruka: Nuk është rastësi

Trajneri i Besëlidhjes, Alban Bruka, është krenar pas fitores në Vlorë: “Nuk është një rastësi, kemi mundur Partizanin dhe tashmë kemi bërë një tjetër paraqitje të shkëlqyer me Flamurtarin. E dija forcën e kundërshtarit, por kisha besim te forca jonë, sepse kam një skuadër mjaft të mirë, një grup i mrekullueshëm lojtarësh. Është e vërtetë që jemi nga Kategoria e Parë, por kemi skuadër për Superiore dhe po e tregojmë forcën tonë në kupë.

Mezani e quan neglizhim? Unë shoh vetëm ekipin tim, që është në rrugën e duhur. Gjithsesi, e pranoj që Flamurtari ka shumë kualitete dhe nuk ka mbaruar, kemi ende një betejë.

Smajli gaboi penallti dhe shënoi autogol, por për këtë është futbolli i bukur. Smajli është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, nuk pati fatin me vete në këto episode.

Kampionati është synimi ynë kryesor, ndërsa kupa është një luks, ku ne nuk jemi futur me synimin për ta fituar”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here