Kupa e Shqipërisë, test i merkatos dhe kolaudim për pretendentët e së Parës

0

Të martën do të nisin ndeshjet e turit për 1/8 në Kupën e Shqipërisë dhe ndryshe nga sezonet e tjerë ky tur luhet dy javë më parë nga kalendari. Një nisje me të tilla ndeshje mund të quhet edhe si një provë gjenerale e skuadrave të Kategorisë Superiore, por edhe atyre të Kategorisë së Parë, pasi gjysmën e dytë të sezonit gjithmonë e kanë nisur me ndeshje kampionati.

Kështu, më 2 shkurt startojnë me ndeshjet e javës së 15-të në Kategorinë e Parë dhe nga kjo kategori janë kualifikuar në 1/8 të Kupës gjashtë skuadra: Vllaznia, Egnatia, Besëlidhja, Bylisi, Lushnja dhe Apolonia. Pesë prej tyre renditen në grupin e skuadrave që kërkojnë ngjitjen në Superiore, ndërkohë që Apolonia renditet në grupin e skuadrave që kërkojnë mbijetesën në Kategorinë e Parë.

Dhe nisur nga pozicionet që ato mbajnë në renditjen e 14 javëve, pjesëmarrja e tyre në Kupë është më shumë se sa një test që i shërben nisjes së pjesës së dytë të këtij sezoni. Të gjitha këto skuadra kanë bërë përforcime në merkato, kanë zhvilluar edhe ndeshje miqësore, por matja e forcës me skuadra të një kategorie më të lartë në Kupë, natyrisht që u shërben edhe për kolaudimin e tyre final.

Shorti i ndeshjeve që nisin të martën në Lezhë me takimin Besëlidhja-Skënderbeu, nuk është bujar për skuadrat e së parës, edhe pse në çiftet e tjera janë vendosur përballë tyre skuadrat e kreut me ato për mbijetesë në Kategorinë Superiore, si Egnatia-Luftëtari e Vllaznia-Kamza. Ndeshjet Apolonia-Kukësi dhe Lushnja-Teuta, më shumë favorite shohin skuadrat e Superiores, ndërkohë që Bylis-Laçi duket si enigma e ndeshjeve të para të këtij turi.

Gjithsesi, të gjitha skuadrat do të testohen pas përgatitjeve dhe merkatos që kanë zhvilluar gjatë muajit janar, dhe ndeshjet e Kupës më shumë do të jenë një test i merkatos dhe kolaudim për vazhdimësinë në gjysmën e dytë të këtij sezoni.

AGRON KAJA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.