Kupa e Konfederatave nga A në Z, ja profilet e skuadrave pjesëmarrëse

0

Dëshira, synimi, rëndësia e evenimentit dhe tifozët, ja se si vijnë 8 kombëtaret në “nxemjen” e Botërorit 2018

Sigurisht që, në një turne të tillë ata që kanë më shumë rëndësi janë vetë tifozët. Dhe këtë radhë, nga Evropa, Azia, Oqeania, Amerika dhe Afrika ata kanë “ngarkuar” dhe janë nisur në drejtim të Rusisë, atje ku ekipet e tyre do të dhurojnë edhe emocionet e “nxemjes” përpara vitit të Botërorit, që për ta do të jetë më i rëndësishmi. Por si e shohin ata skuadrën e tyre dhe sa shanse mendojnë ata se ka ajo për të fituar?

AUSTRALIA – Pasi është kualifikuar në Kupën e Konfederatave duke fituar Kupën e Azisë në 2015-n në shtëpi, kombëtarja e “kangurëve” ka pritshmëri të lartë për këtë turne dhe për Kupën e Botës 2018. Por që atëherë e deri tani realiteti ka goditur hidhur australianët, pasi lojtarët nuk kanë pësuar asnjë rritje në karrierë, në mos kanë rënë. Dhe kualifikueset për në Botëror, kanë vërtetuar diçka të tillë, pasi skuadra mezi ka fituar 3-2 me Arabinë Saudite, teksa së fundmi është mundur 4-0 nga Brazili në miqësore. Pikërisht për këtë, tifozët shpresojnë në një fitore ndaj Kamerunit për të shmangur dështimin ndaj Gjermanisë dhe Kilit.

KAMERUNI – Vjen  në këtë turne pas humbjes 0-4 në miqësore ndaj Kolumbisë, që është kthyer në arsye shqetësimi. Sipas tifozëve, përpara kësaj humbjeje forma ishte e mirë, edhe pse ka mjaftuar një gol i Abubakar që skuadra të mundte Marokun dhe të kualifikohej për në Rusi 2018. Dhe tani, të gjitha shpresat janë te Kristian Basogog, lojtari më i mirë në Kupën e Afrikës 2017. Nuk duhet harruar se të gjithë lojtarët e Kamerunit luajnë jashtë kufijve kombëtarë.

KILI – Sigurisht që tifozët kiljan kanë me se të krenohen pasi skuadra e tyre, në ndryshim nga dy të parat, është një e tillë që nuk ka vetëm një talent. Sigurisht që talenti kryesor, padyshim është Aleksis Sançez, por edhe Arturo Vidal i Bajernit, apo edhe Eduardo Vargas, nëse janë në formë të mirë, mund të bëjë diferencën. Ata vijnë nga fitimi i Kupës së Amerikës së Jugut, ku kanë mundur Argjentinën e Mesit në finale. Një sinjal që, sipas tifozëve, mund të jetë kryesor në duelin me Portugalinë, apo Gjermaninë, pse jo, në finale.

GJERMANIA – Tifozët e Gjermanisë nuk kanë nevojë për prezantim, ashtu si edhe kombëtarja e tyre. Sepse ata janë në të gjithë botën dhe nuk janë vetëm gjermanë. Megjithatë, Jogi Lëv, ka menduar që në këtë turne të shkojë me një skuadër relativisht të re në moshë, që nuk i kalon 24 vjeç mesatarisht, edhe pse emrat nuk mungojnë. Kimish, Draksler, Tah, apo Vaigl dhe Mustafi janë emrat të cilët do të jenë në fushë në këtë kompeticion, teksa për kampionët e Botës në fuqi, duket se turneu nuk ka ndonjë rëndësi aq të madhe sesa për skuadrat e tjera. Edhe pse gjermanët janë gjithmonë favoritët.

MEKSIKA –  Kampionia aktuale e Gold Cup është edhe krenaria e tifozëve të tyre. Aztekët shpresojnë që të mundin Zelandën e Re dhe Rusinë, edhe pse Portugalia do të jetë një test i vështirë. Sigurisht, CR7-a është një “kockë e fortë”, por fansat meksikanë pretendojnë që të arrijnë deri në gjysmëfinale dhe të përballen, pse jo, me Gjermaninë në finale, nëse kalojnë pengesat Kili dhe Portugali më parë. Ata besojnë shumë te lojtarët e tyre të shpejtë si Lozano, por edhe ata me eksperiencë, si Vela dhe Salsedo.

PORTUGALIA – Kampionët e Evropës në fuqi, të kurorëzuar në 2016-n, do të jenë edhe ata që, pas Gjermanisë, janë favoritët për të fituar turneun. Me një Kristiano Ronaldo më shumë se të tjerët në fushë, tifozët luzitanë shpresojnë që të ripërsërisin suksesin evropian edhe në tokën ruse. Dhe sigurisht që kanë të drejtë të shpresojnë, aq më tepër kur Gjermania, më shumë se kushdo, ka ardhur të eksperimentojë.

RUSIA – E fundit, por jo më pak e rëndësishme se të tjerat, kombëtarja e vendit organizator ka entuziasmin e të qenit në shtëpi. Tifozët rusë janë shumë krenarë për gjithçka “made in Russia” dhe pikërisht për këtë arsye, të gjithë futbollistët e skuadrës ruse janë “produkt” i skuadrave të Premier League-s së Rusisë. Madje, për ta, kombëtarja e tyre do të bëjë një paraqitje dinjitoze, aq më tepër kur në stadiume do të ketë mbështetjen maksimale të publikut. Dhe janë pikërisht tifozët, arma më e fortë për ta.

ZELANDA E RE – Nga kualifikimi i 2010-s në Kupën e Botës në Afrikën e Jugut sigurisht që kombëtarja e ishullit nuk numëron shumë suksese në jetëgjatësinë futbollistike. Megjithatë, fansat neozelandezë janë krenarë edhe për atë fitore ndaj Bahreinit që i dha mundësinë oqeanikëve të kualifikohen në Botërorin afrikan. Madje të shkojnë edhe më tej, të mos pësojnë humbje në një grup me Italinë, Sllovakinë dhe Paraguajin. Sigurisht që kjo aventurë, për ta, do të jetë e rëndësishme.

Turneu në shifra

118 klube nga 30 vende të ndryshme janë të përfaqësuara në Rusi 2017. Bajer Leverkusen, Porto, Spartak Moska, Sporting Lisbonë dhe Uellington Finiks mbajnë vendet e para me të paktën pesë lotari.

100 për qind e lojtarëve të kombëtares ruse vijnë nga kampionati vendas. Ndërsa, në kontrast, 100% të lojtarëve të Kamerunit janë futbollistë që luajnë në kampionate jashtë vendit.  

38 vjeç dhe katër muaj është mosha që e bën Rafa Markezin lojtarin më të vjetër të Rusi 2017. Lojtari i Meksikës do të bëhet i dyti më i vjetër në historinë e Kupës së Konfederatave, pas Ali Boumnijel-it, që zbriti në fushë në moshën 39 vjeç në vitin 2005.

36  vjeç dhe 98 ditë është mosha që e bën trajnerin Antoni Hudson teknikun më të ri në Kupën e Konfederatave. Aktualisht rekordin e mban ish-trajneri i Nigerisë, Shaibu Amodu, 36 vjeç e 263 ditë, që në vitin 1995 drejtoi “shqiponjat” në atë edicion.

29 vjeç e një muaj është mosha mesatare e skuadrës s Kilit, duke e bërë atë më të vjetrën në Kupën e Konfederatave. Gjermania këtë radhë ka zgjedhur një skuadër me moshë mesatare 24 vjeç.

18 vjeçsari Dejn Ingam mund të bëhet lojtari i dytë më i ri që zbret në fushën e Kupës së Konfederatave. Shoku i tij i skuadrës, te Zelanda e Re, Kris Ud mban rekordin, teksa zbriti në fushë në Afrikën e Jugut në 2009-n, në moshën 17-vjeçare.

7 edicione të Kupës së Konfederatave është rekordi që Meksika do të arrijë në Rusi, duke arritur rekordin e Brazilit. Dhe seleçao është fituesja e fundit e Kupës së Konfederatave, teksa do të mungojë këtë radhë.

4 Tituj të Kupës së Konfederatave (1997, 2005, 2009, 2013) e kanë rreshtuar Brazilin si skuadrën më të suksesshme. Franca, fituese në 2001-shin dhe 2003-shin, është e vetmja skuadër tjetër që e ka fituar këtë kompeticion më shumë se një herë. Brazili ka fituar edhe më shumë ndeshje në këtë turne sesa çdo skuadër tjetër.

3 Skuadra evropiane do të ndeshen në Rusi 2017. Vendasit, Gjermania kampione Bote dhe fituesja e Kampionatit Evropian, Portugalia. Ky është edicioni i parë i këtij turneu që do të ketë tre skuadra nga e njëjta konfederatë, UEFA.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here