Kundër çekëve qe fat, Gjermania do goleadë me Norvegjinë

0

Pas fitores së mundimshme me Republikën Çeke 2-1, Gjermania sot do të presë Norvegjinë në “Mercedes-Benz Arena” të Shtutgartit. Nuk diskutohet se në shkallët e stadiumit numri i tifozëve do të jetë maksimal, edhe si mbështetje për Sami Khedirën, i cili rikthehet në shtëpi pas shtatë vitesh. Kampionët e botës, në fakt, praktikisht e kanë siguruar kualifikimin në Kupën e Botës, ndërsa shanset e Norvegjisë janë shumë të vogla.

Gjermanët e kanë mendjen më shumë te rekordi i ndeshjeve pa humbje dhe madje vetëm me fitore, diçka që janë thuajse në fund të kryerjes së saj. Ndeshja me çekët nuk qe më e mira për djemtë e Joakim Lëvit. Goli i fitores erdhi me vuajtje pas një goditjeje me kokë të Mats Humelsit.

Norvegjia është një rival modest për “pancerat”. Kombëtarja nordike është në vështirësi prej disa kohësh dhe pritet të mungojë edhe një herë në turneun e ëndërruar. Në ndeshjen e fundit ka ardhur një fitore 2-0 kundër Azerbajxhanit, por paraqitja e norvegjezëve nuk ka qenë aspak bindëse. A do të arrijnë sot të bëjnë surprizën? Shumë vështirë. Në mediet vendëse, këtë e besojnë vetëm një në 100 votues “online”.

Lëv pritet ta nisë ndeshjen me dyshen Kros-Khedira në mesfushë, me sulmuesin Verner sërish si pykë dhe me Drakslerin në krahun e majtë të ofensivës. Me këtë formacion Norvegjia vështirë se mund të shënojë, por futbollit kurrë nuk i dihet.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here