Kukësi zbulon Ethemin, mesfushori bind të gjithë: Golin për babain

Sezonin e shkuar erdhi pa zhurmë në Shqipëri dhe debutoi te Mamurrasi. Në një sezon të dështuar, ai ishte lojtari më i spikatur i Mamurrasit dhe kjo i vlejti një provë te Kukësi në verë. Pak muaj më vonë, Valon Ethemi ka fituar zemrat e tifozerisë së Kukësit. Vetëm 20 vjeç, i lindur në Tetovë dhe tashmë një premtim i madh për kampionët. Jo vetëm goli, por edhe niveli i lojës ka bërë që në verilindje të flitet shumë për të. Një “yll” i ri duket se po lind, edhe pse natyrisht nuk duhet ekzagjeruar me pak ndeshje. Një festë e “çmendur” e ligjshme pas golit të parë dhe tashmë sytë janë të gjithë tek ai.

Për “Sport Ekspres”, mes emocionesh të mëdha, mesfushori i ri tha: “Jam shumë i lumtur që arrita ta ndihmoj skuadrën time. Po ashtu, jam mjaft i lumtur që arrita të gjeja golin e parë. Ishte shumë e rëndësishme të shpërbleja besimin që më dha stafi teknik, pasi isha në vend të Alijevit. Në radhë të parë, është e rëndësishme të ketë sukses ekipi dhe më pas vijnë sukseset individuale. Dua të luaj futboll, të jap maksimumin për skuadrën dhe të shënoj sa më shumë. Te ne pak rëndësi ka kush shënon. Nëse arrihet suksesi, gjithçka është në rregull. Golin ia dedikoj babait tim”.

Mbështetje edhe nga Tetova

Nuk ka munguar tifozeria speciale në ndeshjen e djeshme mes Kukësit dhe Teutës. Me flamuj kuqezi, një numër jo i vogël tifozësh kishin udhëtuar drekt Kukësit për të mbështetur kampionët. Valon Ethemi kishte mbështetjen e miqve të tij dhe familjarëve që kishin vendosur ta mbështesnin nga shkallët e stadiumit. Nuk ka zhgënjyer Ethemi mr golin e shënuar dhe festën që e ndau me ta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *