Kukësi “zbarkon” në plazh, Pakult: Shtyjmë festën korçare

Verilindorët stërviten duke u zbavitur, tekniku austriak e vlerëson më shumë se një seancë në fushën e blertë

Jurgen Zela

Temperatura të larta, 8 pikë nga Luftëtari dhe në prag një ndeshje e vështirë me Skënderbeun, por te Kukësi dinë si të mos bien në presion edhe pse u eliminuan nga Kupa dhe barazuan në Laç në kampionat. Trajneri Peter Pakult kishte njoftuar se stërvitja do të zhvendosej në Durrës dje, këtë herë për një seancë argëtuese, por për të me shumë vlerë. Volejboll e futboll në rërë, not e humor, stafi së bashk me lojtarët. Ana psikologjike është shumë e rëndësishme dhe austriaku do ta menaxhojë si duhet, pasi skuadra vjen nga eliminimi nga Kupa dhe u ndal pas 4 fitoresh në një barazim pa gola në Laç.

PAKULT – Trajneri 58-vjeçar e ka komentuar këtë seancë stërvitore jo të zakontë për “Supersport”, duke vënë në dukje faktin se synimi mbetet i njëjtë: për të prishur festën në Korçë. Në një ditë plot argëtim, Pakult nuk i kursen as batutat, duke thënë se do e çonte skuadrën për ski, por në Shqipëri ka temperatura shumë të larta në krahasim me Austrinë: “Shkarkimi i ngarkesës psikologjike është diçka shumë e rëndësishme në këtë moment. Sezoni ka qenë shumë i lodhshëm. Na kanë mbetur dhe 6 ndeshje nga fundi. Duhet që lojtarët të jenë sa më të qetë. Kemi vendosur të kryejmë një stërvitje ndryshe nga herët e tjera në rërë, volejboll dhe futboll për të argëtuar sa më shumë lojtarët. Skuadra duhet të jetë e freskët mendërisht dhe kjo është mënyra më e mirë. Nuk duhet konceptuar si një ditë relaksi, pasi është një stërvitje e mirëfilltë. Nuk po nënvlerësojmë impenjimin e javës. Nuk duhet parë si një shenjë mungese respekti. Kjo ditë e miksuar mes stërvitjes dhe argëtimit ka më shumë vlera se një stërvitje normale. Doja t’i dërgoja të bënin ski si në Austri, por këtu është shumë ngrohtë. Për nga historia e viteve të fundit, mund të konsiderohet një përballje derbi, pasi ndeshet vendi i parë me të dytin. Qëllimi ynë kryesor është që t’ia shtymë festën Skënderbeut. Pa diskutim që është një ndeshje shumë e vështirë”.

EUROPA – Trajneri nuk anashkalon aspak objektivin që ka klubi, ku veçon faktin se ende nuk është garantuar pjesëmarrja në aktivitetet ndërkombëtare. Timonieri i Kukësit paralajmëron ndryshime, por si fillim duhet të mbarojë kampionati: “Shpresoj të jemi në maksimum për të realizuar objektivin që i kemi vendosur vetes. Jemi një pozicion të mirë, pavarësisht barazimit ndaj Laçit, dhe dua të rikujtoj se ku ishte kjo skuadër në muajin janar, pra kemi bërë një rrugëtim për t’u marrë në konsideratë. Nuk e kam planifikuar ende skuadrën për Kupat e Europës, të jemi realist kemi një diferencë të madhe por fillimisht  duhet të sigurojmë pjesëmarrjen, në momentin që matematika do të na dërgojnë në Europë do të nis të mendoj për ekipin që do na përfaqësojë”, përfundoi trajneri i Kukësit, Peter Pakult. Një ditë ndryshe, para një ndeshje shumë të rëndësishme. Pas stërvitjes, të paktën e tillë u quajt nga trajneri i Kukësit, e kishte radhën argëtimi i deklaruar: të gjithë në det.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *