Kukësi të futet para Tiranës në “Champions League”? Ideja e çmendur po merr mbështetje, por nuk është për Superioren

Nga Klaudio Ndreca

“Sport Ekspres” ka publikuar përpara disa ditësh edhe një zhvillim të ri sa i përket UEFA-s dhe mënyrën sesi do t’i jepet zgjidhje kampionateve që nuk mund të mbyllen për shkakun e Koronavirusit. Më saktësisht ishte një media në Itali që e kishte publikuar variantin, për të dalë disi më ndryshe nga diskutimet e deritanishme.

Duke marrë rastin e Serisë A, nëse do kampionati nuk do të luhej më për këtë sezon, atëherë nuk mund të merret renditja aktuale për bazë sa i përket ekipeve që shkojnë në Europë, pasi gjithë kampionati quhet i pavlefshëm. Por si do të veprohet? Atëherë futemi në koeficentët e skuadrave në renditjen e përgjitshme të UEFA-s, atje ku Interi do të dilte jashtë “Champions League”, megjithëse tani është në vendin e tretë.

E për ta përshtatur në realitetin e Shqipërisë këtë skemë, atëherë do të ishte Kukësi që do të shkonte në “Champions League”. Kjo duke marrë për bazë dënimin aktual të Skënderbeut, pasi vendi më i lartë nga ekipet e Superiores në renditjen e UEFA-s është Skënderbeu, që renditet në vendin e 182. Menjëherë pas Skënderbeut sa i përket ekipeve shqiptare vjen Kukësi në vendin e 198 për të vazhduar me Partizanin në të 241, Laçin në të 321 dhe Teuta që renditet e 374. Ndërkohë Tirana do të mbetej jashtë Europës, pasi në bazë të renditjes aktuale gjendet e 378, një vend pas Luftëtarit.

Por kjo ide e çmendur në pamje të parë, po merr shumë mbështetje dhe jehonë. Së fundmi ishte edhe prestigjozja britanike “Sunsport” që e kishte publikuar këtë variant që po mendohet edhe më shumë brenda UEFA-s që të vendoset në zbatim për shtetet që nuk kanë mundësi të zhvillojnë ndeshjet, e cila në Angli dërgon Liverpulin, Manchester United, Arsenal dhe Totenhemin në “Champions League”. Megjithëse në bazë të renditjes aktuale, djemtë e drejtuar nga ana e Murinjos gjenden në vendin e 8 të “Premier League”.

E megjithatë duhet të themi se ky nuk është më një realitet që i përket Shqipërisë, duke parë dinamizmin dhe zhvillimin e situatës, ndryshe nga disa ditë më parë kur kemi publikuar edhe këtë variant. Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh së fundmi se blloku i tretë i bizneseve me rrezikshmëri të lartë ku përfshiheshin edhe aktivitetet sportive, do të hapen në 4 maj.

Pra stërvitjet mund të nisin lehtësisht në këtë datë, duke mos harruar masat e marra, ndërsa në fundin e muajt majt do të kemi edhe rinisjen e kampionatit. Një vendim të tillë mund ta ndryshojë vetëm një përkeqësim i situatës, që ka pak gjasa të ndodhë duke parë masat ekstreme në vendin tonë dhe duke mos harruar që vendet e vogla në këtë rast, do e kenë më të lehtë për të dalë nga pandemia sesa Italia, Anglia, Spanja dhe Franca. E përpos të gjithave, si mund të rezistojnë ekipet shqiptare nga aspekti ekonomik pa dalë në fushë deri në shtator? /Sport Ekspres/