Kukësi shton radhët, merr edhe Stivi Frashërin

Sikur të mos mjaftonte rinovimi me Enea Koliçin, një ndër portierët më cilësorë në Superiore, Kukësi vazhdon fushatën e përforcimeve dhe tashmë ka gjetur edhe një zëvendës për Koliçin.

Kështu, sot është arritur marrëveshja me Stivi Frashërin, mëson “Sport Ekspres”. Portieri korçar ishte pa ekip prej majit, kur mbylli kontratën me Flamurtarin. Në Vlorë 26-vjeçari pati një sezon të trazuar, duke u alternuar shpesh me Argent Halilajn në portë dhe duke u lënë jashtë skuadre prej prillit, pasi në Vlorë nuk e pëlqyen faktin që shkoi të takonte lojtarët e Skënderbeut në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të takimit.

Tani Frashëri sistemohet te klubi kampion, ku do të jetë rezervë, por sezonin e ardhshëm mund të marrë dorashkat e titullarit, sepse Koliçi ka rinovuar vetëm për një vit dhe është i tunduar nga ofertat brenda e jashtë vendit. Për të mos u kapur i papërgatitur, Kukësi merr masat që tani, duke afruar një portier të talentuar, por që ka pasur shumë luhatje në karrierën e vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *