Kukësi “shëtitje” në Berat, e nis mbarë mbrojtjen e trofeut

0

Një gol i brazilianit Rangel dhe 2 të shënuar nga Guri i japin kuksianëve garancinë e kualifikimit që në sfidën e parë të Kupës ndaj beratasve

Tomori e ka llogaritur veten të eliminuar nga Kupa e Shqipërisë qysh në momentin kur është njohur me kundërshtarin e tij, Kukësin. Nëpërmjet diferencave të mëdha që kanë në përbërje të dyja skuadrat, as që nuk diskutohej kalimi i këtij turi për skuadrën e teknikut Ernest Gjoka, i cili është rikthyer në Berat si kundërshtar pas drejtimit që i kishte bërë Tomorit për një sezon në Superiore përpara katër sezoneve. Por si të mos mjaftonte dorëzimi përpara kohe i Tomorit në Kupë, dukej qartë se qysh përpara këtij takimi si beratasit, ashtu edhe kuksianët, e kanë zhvendosur gjithë vëmendjen dhe përqendrimin e tyre në ndeshjet e radhës në kampionat. Vendasit janë me mendjen te Bylisi dhe miqtë te Partizani, çka ka detyruar teknikët respektivë, Sinella dhe Gjoka, që të hedhin në fushë formacionet e dyta. Pas 90 minutave të para duhet thënë se bazuar edhe te rezultati dhe fitorja e thellë e Kukësit 3-0, që ka hipotekuar kualifikimin që në Berat, Tomori ka fituar disa futbollistë të rinj dhe me perspektivë te të cilët duhet besuar më shumë në të ardhmen. Futbollistët që u aktivizuan në këtë takim ishin nga mosha 17 deri në 22 vjeç dhe midis tyre ka disa që cilësohen si premtues. Loja përgjithësisht është zhvilluar e barabartë, edhe pse miqtë kanë qarkulluar më shumë topin dhe kanë krijuar sulme të shpejta dhe të rrezikshme, ku binin në sy veprimet e Lushtakut. Dyshja Rangel-Guri që kanë realizuar golat e fitores kanë shfaqur një formë të mirë sportive dhe mbështeteshin mjaft mirë nga Jonuzi, Koldashi, Imami dhe Çema, ku me lojën e tyre futbollistët miq sikur kërkonit t’i tregonin teknikut Gjoka se ndeshja e tyre në Berat vlente më së shumti për një fanellë titullari për ndeshjen e fundjavës ndaj Partizanit në kampionat.

Sport Ekspres

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here