Kukësi nuk paguan Gjokën dhe stafin, për shkak të… bazës materiale!

0

Përgjithësisht, prishja e marrëdhënieve ndërmjet trajnerëve e lojtarëve me klubet ku kanë punuar nuk janë me buzëqeshje dhe me urime të ndërsjella fati. Fjalë, akuza, kundërakuza dhe shpërthime mediatike, ku në shumicën e rasteve fillojnë të vihen në dukje edhe hatërmbetjet më të vogla. Kukësi nuk kishte si t’i shpëtonte këtij rregulli, për të mos thënë se mban pishtarin në futbollin shqiptar.

Rasti më i fundit ishte ai me ish-trajnerin Ernest Gjoka, ku shkëputje mes palëve nuk ka qenë më e mira e mundshme. Falënderime dhe urime dypalëshe? Jo, mos na bëni te qeshim!

Më e fundit dhe “qershia mbi tortë” ndërmjet marrëdhënieve mes tyre është gjoba e vendosur nga klubi drejt trajnerit Ernest Gjoka dhe stafit të tij. Burime pranë stafit drejtues të shkuar të Kukësit bëjnë me dije për “Sport Ekspres” se ditën e djeshme Gjokës dhe stafit të tij i është përcjellë gjoba nga ana e klubit.

GJOBA – Klubi i Kukësit i ka komunikuar trajnerit Ernest Gjoka gjobën, që konsiston në mosmarrjen e një page mujore. Kampionët e Shqipërisë e kanë arsyetuar këtë masë ndëshkimore për ish-teknikut dhe stafin e tij për mosdorëzimin e bazës materiale. Gjoba ka hyrë në fuqi menjëherë dhe tashmë palët kanë “larë duart” me njëra-tjetrën në mënyrë përfundimtare. Zyra juridike e Kukësit e ka depozituar gjobën edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe çështja do të zgjidhet vetëm aty pas gjyqeve që do të zhvillohen.

PRETENDIMET – Ish-trajneri Ernest Gjoka së bashku me ish-zëvendëstrajnerin Fatjon Tafaj dhe ish-përgatitësin atletik Gjergj Poloska pretendojnë se bazën materiale e kanë bërë gati për ta dorëzuar, por nuk e kanë lënë pranë klubit pa marrë rrogën e fundit. Kjo arsye është përdorur nga klubi verilindor për të bërë gati gjobën kundrejt ish-stafit për arsyen e kundërt me to.

FSHF –  Klubi i Kukësit e ka depozituar gjobën në Federatën Shqiptare të Futbollit, ndërsa ka vënë në dijeni edhe stafin e sezonit të kaluar. Burime pranë trajnerit Gjoka bëjnë me dije se ai dhe stafi i tij do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje dhe do të provojnë ta zgjidhin në FSHF. Pas gjyqeve me lojtarët që kanë dashur të largohen, verilindorët përballen me një tjetër çështje, atë me trajnerin Gjoka dhe ish-stafin që i nxori kampion.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here