Kukësi nis aventurën europiane, tifozët premtojnë mbështetje

Kukësi do të luajë për të dytin vit radhazi në Champions League, ku kërkon me çdo kusht të kalojë në raund tjetër. Edicionin e shkuar verilindorët u eliminuan vetëm nga golin në fushën kundërshtare dhe fati, pasi në “Elbasan Arena” bënë gati gjithçka, por në fund nuk ia dolën. Këtë edicion ndryshon disi muzika për blutë të cilët zbresin në fushë si favorit ndaj skuadrës kampione të Maltës, Valetën.

Të besuarit e Peter Pakult e dinë mirë se nuk do të jetë aspak e lehtë dhe do u duhet të djersinë shumë ndaj një kundërshtari që merr pjesë rregullisht në arenën ndërkombëtare. Austriaku ka bërë shumë afrime dhe mund të thuhet se e ka ndërtuar skuadrën nga e para, pasi sot në fushë pritet të shihet një skuadër me fytyrë të re, shumë ndryshe nga ajo që e mbylli edicionin.

Kukësi ndryshoi “shtëpi”, duke u zhvendosur nga “Elbasan Arena” në “Loro Boriçi” me arsyetimin se do të ketë shumë tifozë që do e mbështesin skuadrën kuksiane, pasi Shkodra është më afër se Elbasani për tifozët që jetojnë në Kukës. Drejtuesit kanë menduar që të vendosin transport falas për tifozët nga Kamza, Kukësi dhe Kosova. Nuk pritet që të zhgënjejnë mbështetësit kuksian, pasi ashtu siç mësohet janë organizuar dhe sot pritet që të jenë jo të paktë në numër në ndeshjen e parë kualifikuese të raundit të parë të Champions-it.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *