Kukësi ndryshon objektivat, Nexhipi: Titulli i vështirë, synojmë Kupën për të plotësuar sezonin

Shorti i Kupës së Shqipërisë ka vënë përballë Kukësit ekipin e Teutës. Verilindorët këtë vit kishin objektiv kryesor titullin kampion, por diferenca prej 9 pikësh me Tiranën në kampionat ka bërë që Kupa të kthehet në një tjetër synim për ta. Këtë e konfirmon edhe vetë drejtori sportiv, Nderim Nexhipi. Në fjalën e mbajtur për mediat për të komentuar shortin, Nexhipi ka bërë me dije se ekipi i tij do të kërkohë trofeun e Kupës së Shqipërisë për të plotësuar këtë sezon, që nuk ka shkuar plotësisht sipas pritshmërive.

“Në këtë fazë, nuk ka short të lehtë, të gjitha ekipet kanë cilësi. Do të luajmë dy ndeshje kundër Teutës, shpresojmë të bëjmë më të mirën. Titulli? Ne çdo vit futemi në garë për titull. Tirana është shkëputur, pavarësisht se jemi ende në garë matematikisht, është shumë e vështirë. Kështu që synojmë Kupën që të plotësojmë sadopak sezonin tonë.

Nuk jemi më superiorë se Teuta. Ndeshjet kundër Durrësit çdo vit janë të vështira. Teuta ka lojtarë me shumë kualitet dhe do të jenë dy ndeshje shumë interesante. Presidenti nuk e ka thënë një gjë të tillë, që të fokusohemi vetëm te Kupa. Gjithsesi, Kupa për ekipin tonë do të jetë një trofe plus. Si vitin e shkuar, dhe këtë vit duam ta ngremë trofeun.

Duhet kaluar Teuta për të folur për finalen. Normalisht, Kukësi dhe Tirana kanë dy skuadra të mira dhe do të ishte një finale e fortë. Kemi dy ndeshje, si ne, si ata, kështu që të presim si do të shkojnë gjërat”, ka deklaruar Nexhipi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *