Kukësi mendon për mbrojtjen, Osmani dëshira e parë

Verilindorët synojnë që të bëjnë pazar në Korçë, qendërmbrojtësi Tefik Osmani preferohet nga presidenti Gjici. Edhe Hoxhallari ka pëlqimin e kuksianëve

Jurgen Zela

Kukësi vijon përgatitjet për ndeshjen e javës së 15-të, ku kundërshtarë do të ketë Teutën e Durrësit. Kampionët po kalojnë një moment të vështirë, sa i përket rezultateve, pasi në 7 ndeshje kanë arritur që të marrin vetëm 1 fitore. Pas humbjes me Lushnjen, fitorja në Durrës konsiderohet detyrim për të besuarit e Mlladen Milinkoviç, nëse nuk duan që t’i lajnë një herë e mirë duart me pretendimet për titull. Kur duhen dhe dy takime për t’u mbyllur viti 2017, nuk ka se si edhe Kukësi të mos mendojë për merkaton.

OSMANI
Nga Kroacia, Bosnja, Serbia apo Nigeria, në Kukës ka shumë pista, por nuk lihet jashtë dhe tregu shqiptar. Është mjaft e vështirë që në këtë periudhë të vitit të gjesh lojtarë të lirë dhe të mirë. Të gjithë ata që vijnë nga jashtë nuk rezultojnë shpesh herë sipas pritshmërive dhe kuksianët synojnë që të afrojnë disa lojtarë nga kampionati ynë, që t’i kenë treguar vlerat e tyre. Në krye të listës së dëshirave duket se qëndron një emër i rivalëve direkt të Skënderbeut. Bëhet fjalë për Tefik Osmanin, i cili ka simpatinë e presidentit Safet Gjici. Nuk është hera e parë që Kukësi ka treguar dëshirën për të afruar qendërmbrojtësin me shumë eksperiencë. Mbrojtësi korçar është aktivizuar në vetëm 7 takime në kampionat, por ka pasur minuta rregullisht në Europa League. Kukësi po pëson shumë gola dhe e sheh si të domosdoshme që të afrojë lojtarë në repartin e tërhequr. Mbetet e vështirë që 32-vjeçari të kalojë nga Skënderbeu te kampionët, por mbetet për t’u parë nëse oferta e Kukësit do të kënaqë mbrojtësin.

HOXHALLARI
Kukësi synon titullin kampion dhe në të tilla kushte kërkon që të ketë sa më shumë lojtarë kualitativ në organikë. Mësohet se dhe mbrojtësi i Tiranës Erjon Hoxhallari është një lojtar që gëzon simpatinë e drejtuesve të Kukësit, megjithatë 22-vjeçari është nën kontratë dhe duket e vështirë që ky kalim të kryhet me sukses. Korçari mund të luajë si mbrojtës i majtë, por dhe si mesfushor. Veç problemit të kontratës, aktualisht Kukësi nuk vuan në krahun e majtë, pasi ka dy mbrojtës mjaft të mirë si Rrumbullaku dhe Imami, që kanë dhënë garanci, ndërsa në mesfushë luan një si Kale që ka spikatur këtë edicion.
Verilindorët duan që të forcohen në çdo repart dhe ky është një tregues se nuk janë dorëzuar dhe besojnë ende te titulli kampion. Merkatoja pritet të jetë mjaft e nxehtë për Kukësin, por me shumë interes pritet lista e lojtarëve që do të konsiderohen si të pa dëshiruar nga trajneri Mlladen Milinkoviç dhe stafi i tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *