Kukësi mendon për largimet, sulmuesi me valixhe në duar?

Kukësi arriti që ta ngushtonte akoma dhe më shumë diferencën me Partizanit, pasi suksesi ndaj Kastriotit u shoqërua dhe me barazimin e kryesuesve në Gjirokastër. Tani është koha për festa e fundvitit, por edhe për merkato, pasi në mesin e janarit skuadrat do të rikthehen në fushat e blerta. Presidenti Gjici deklaroi se skuadra e tij ka nisur punën që pas ndeshjes me Tiranën dhe deri tani ka marrë shërbimet e Rrocës që është konfirmuar, por numri një i kuksianëve ka pohuar se edhe Shkurtaj do të ndjekë mesfushorin në aksin Gjirokastër-Kukës.

Skuadra duket se është harmonizuar dhe nuk është shumë e nevojshme që të ketë lëvizje të panumërta, por natyrshëm që nuk do të ketë edhe ndonjë firo. Toure duket se është thuajse i larguar, por “SportEkspres.com” mëson se mund të ketë një largim akoma dhe më të madh nga nënkampionët.

Rexhinaldo ishte autor i golit të dytë në ndeshjen me krutanët sot, por mund të ketë qenë ndeshja e fundit e sulmuesit me kuksianët. 29-vjeçarit ka shënuar vetëm 3 gola nga 29 shtatori deri më tani, ndërsa në total ka realizuar vetëm 7 gola në 18 javë.

Edhe pse sulmuesi nga Mozambiku është shënuesi më i mirë i skuadrës, nuk do të ishte çudi që të largohej në dritaren dimërore, pasi Shkurtaj mund t’i ngushtonte akoma dhe më tepër hapësirat për të. Për afrimin e lojtarit të Luftëtarit po shpenzohet një shumë e madhe parash, ndaj do duhet që të bëhet ndonjë lëvizje, për të ekuilibruar bilancet dhe autori i 7 golave merr jo pak.

Po ashtu edhe Roxher i Kastriotit mund të bashkohet me Kukësin, çka do e shtonte koloninë e të huajve, duke e bërë të domosdoshme largimin e ndonjë prej lojtarëve që nuk kanë pasaportë shqiptare. Rexhinaldo është përfolur herë pas here për ndonjë moment tensioni në skuadër, çka mund të jetë një minus për të.

Drejtuesit mund të mendojnë që të ulen e të bisedojnë për një divorc të parakohshëm, për të mirën e të dyja palëve. Merkato hapet në 1 janar, por te Kukësi do të lëvizin shpejt, në mënyrë që t;i japin kohën e mjaftueshme Cungut që të punojë i qetë, por merkato pritet të jetë e nxehtë edhe në dalje nga verilindorët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *