Kukësi me “përforcime” për Skënderbeun, Cungu mund të jetë i qetë

Kukësi dhe Skënderbeu janë dy skuadrat që kanë diskutuar mes tyre vendet e para në klasifikim. Verilindorët kanë mundur vetëm në një rast që t’i rrëmbejnë titullin “ujqërve të dëborës”. Ndeshjet mes këtyre dy skuadrave kanë prodhuar në pjesën më të madhe të rasteve lojë të bukur dhe me gola, ndaj pritshmëritë janë të mëdha edhe për takimin e kësaj jave.

Edhe pse mbetet ende për t’u përcaktuar se ku do të luhet supersfida e kësaj jave, ekipet vijojnë normalisht përgatitjet. Kukësi mori një fitore të vuajtur në Gjirokastër, por që i shërben nga ana morale para dy ndeshjeve më të rëndësishme për këtë edicion. Në fazën e parë Kukësi ka dështuar që të marrë pikë ndaj ekipeve kryesuese dhe të premten do të kërkojë që ta thyejë këtë “ters”.

Armando Cungu do të ketë plotësisht gati kapitenin Ylli Shameti dhe mbrojtësin tjetër Simo Rrumbullaku. Kapiteni ishte në stol në takimin  fundit, ndërsa gjirokastriti luajti pak minuta në fund. Të dy janë pika të rëndësishme të skuadrës dhe me shumë mundësi do të jenë nga minuta e parë. Edhe gjendja e Shafik Tigruxhës është në përmirësim dhe francezi mund të jetë në dispozicion për stafin teknik. Një skuadër më e kompletuar për kuksianët, të cilët në takimet e fundit kanë pasur pak alternativa, duke kujtuar se në takimin me Kamzën ishin vetëm 4 lojtarë në stol.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *