Kukësi me një ndryshim në formacion, Shameti: E dimë si mundet Valeta

Pas gjysmë hapit fals në ndeshjen e parë të luajtur javën e kaluar, tashmë Kukësi e ka të qartë se si mposhtet Valeta. Emri i rivalit është relativisht modest, megjithatë së fundmi investimet në skuadër kanë qenë mjaft të rëndësishme. Gjithsesi, kapiteni Ylli Shameti premton se nuk do të ketë më surpriza.

“Personalisht jam i surprizuar vetëm nga rezultati i ndeshjes së parë dhe jo nga ekipi i Valetës apo niveli i futbollit futbollin maltez. Nuk u befasuam më tepër nga cilësitë e tyre, por më tepër nga loja jonë, që nuk shkoi si duhej. Tashmë e njohim më mirë Valetën, e njohim në fushë pasi luajtëm 90 minuta. Tani e dimë si luajnë dhe i kemi studuar ashtu siç duhet për të bërë më të mirën dhe për të kaluar në turin tjetër”, tha kapiteni i nënkampionëve të Shqipërisë.

Kukësi do të zbresë në fushë praktikisht me të njëjtin formacion që luajti në ndeshjen e parë në Shkodër, ku barazoi 0-0. Në portë do të jetë Frashëri, ndërsa ndryshimi i vetëm lidhet me qendrën e mbrojtjes, ku Albi Alla do të marrë vendin e Qaqit përkrah kapitenit Shameti, ndërsa braziliani Kordeiro dhe Rumbullaku do të luajnë nga krahët.

Treshja e mesfushës do të përbëhet nga Musolli, Shkodra në qendër dhe Dzaria i spostuar paksa majtas. Sebino Plaku në rolin e sulmuesit të pastër do të mbështetet nga krahët nga Zguro dhe Çyrbja. Kukësi do të jetë një skuadër ofensive në fushë, në kërkim të fitores dhe të kualifikimit në tokën malteze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *