Kukësi lë pas kupën, pritet premio për fitore në Laç

0

Jurgen Zela

Pas eliminimit nga Kupa, verilindorët e kanë kthyer vëmendjen në kampionat, pasi java e 22-të do të rezervojë një nga transfertat më të vështira, pikërisht atë të Laçit. Nëse këtë javë kryeqyteti do përjetojë emocionet e Derbit, veriu do të ketë Derbin e tij. Gjithmonë përplasjet mes Laçit dhe Kukësit kanë dhuruar emocione, sepse rivaliteti mes këtyre dy ekipeve ka qenë mjaft i madh, si në fushat e lojës, ashtu dhe jashtë saj. Me synimin që së paku diferenca me ndjekësit të mos ndryshojë, Kukësi e ka objektivin e qartë për të mos dalë pa pikë dhe pse e kanë të ditur që nuk do të jetë aspak e lehtë. Në fushën e kurbinasve, verilindorët kanë arritur vetëm një herë të dalin të fituar, saktësisht në 3 nëntor të vitit 2013. Atëherë vendoste një gol i realizuar nga pika e bardhë e 11-metërshit nga Igli Allmuçës, në minutat e fundit të ndeshjes dhe kuksianët arritën të triumfonin 1-2. Edhe pse deri më tani kampionat e dimrit kanë bërë një kampionat mjaft të mirë dhe nuk kanë pësuar asnjë humbje, barazimet dhe fitoret kanë qenë sinkron me njëra-tjetrën, duke bërë që Kukësi të mos shënonte asnjëherë për këtë sezon më shumë se tre fitore radhazi. Në ndeshjen me Laçin kuksianët do të synojnë suksesin e katërt tre pikësh.  

PREMIO  

Një triumf i mundshëm i kuksianëve në “Derbin e Veriut” do të ishte një hap më tej drejt titullit kampion të shumëdëshiruar, por për lojtarët do të ketë një gëzim më tepër. Ashtu siç është bërë e ditur, numri një i klubit kuksiane ka premtuar premio në rast suksesi në katër ndeshjet e para në kampionat të këtij viti. Pas sigurimit të fitoreve me Vllazninë, Teutën dhe Tiranën, Laçi do të jetë pengesa e fundit. Presidenti Gjici e ka aplikuar dhe në të shkuarën shpërndarjen e premiove, për t’i shpërblyer futbollistët e tij, pas rezultateve pozitive. Natyrisht që një tre pikësh me Laçin, do të ishte një motiv akoma më shumë për verilindorët, të cilët një javë më pas do të kenë përballjen me Partizanin, një nga rivalët direkt për titull dhe çdo detaj mund të ketë ndikimin e tij, këtu nuk bën përjashtim as morali apo faktori psikologjik.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here