Kukësi kundër Tiranës, fushës dhe… motit

0

Reshjet e borës në Kukës mund të jenë një problem i madh, pasi gjatë ditës së djeshme kanë pasur shumë intensitet. Nëse ndeshja luhet, Kukësi largon krizën me kualifikim

Jurgen Zela

Reshjet e borës kanë mbuluar qytetin e Kukësit dhe rrjedhimisht edhe stadiumin “Zeqir Ymeri”. Ditën e djeshme reshjet intensive të dëborës në Kukës kanë bërë që fusha e stadiumit të zbardhet nga bora, duke krijuar edhe konfuzion për ndeshjen e sotme. Nëse reshjet e dëborës do të vazhdojnë dhe sot, atëherë me siguri që takimi mes Kukësit dhe Tiranës mund të mos zhvillohet. Në të tilla kushte skuadrat duket se veç njëra-tjetrës dhe gjendjes së mjerueshme të fushës, do të sfidojnë dhe kushtet atmosferike. Jo vetëm kaq, por mund të jetë një faktor shumë i rrezikshëm për lojtarët, të cilët mund të pasojnë dëmtime gjatë ndeshjes, sepse nëse nuk shkrihet akulli, në fushë mund të jetë një terren shumë i vështirë për të luajtur. Megjithatë, duhet pritur deri para ndeshjes për të parë nëse do të jetë gjithçka në rregull për t’u zhvilluar ndeshja mes kampionëve dhe fituesve në fuqi të Kupës. Do të jenë drejtuesit e FSHF-së ato që do të japin një vendim final. Parashikimet e motit janë shpresëdhënëse se në Kukës nuk do të ketë reshje dëbore dhe temperaturat gjatë ditës së sotme do të jenë më të larta, por mbetet për t’u parë.

PRITSHMËRITË
Duke e marrë të mirëqenë se ndeshja do të nisë sot në orën 14:00, Kukësi është favorit për të avancuar më tej. Goli i shkodranit Sindrit Gurit në “Selman Stërmasi” është një avantazh mjaft i madh për verilindorët, pasi dihet se në të tilla takime ka shumë peshë një gol në fushën kundërshtare. Gjithsesi, mungesa e rezultateve pozitive nga kuksianët në shtëpi u jep besim bardhebluve se mund të marrin një rezultat që mund t’i kalojë më tej. Te Kukësi u është bërë edhe psikologjike tashmë puna e ndeshjeve në shtëpi, pasi po bëhen afro 4 muaj që nuk arrijnë t’i gëzohen fitores në “Zeqir Ymeri”. Për këtë sfidë Pakult nuk do të ketë në dispozicion dyshen e qendrës së mbrojtjes Shameti-Alla, ndërsa Ze Maria nuk ka Turtullin të pezulluar, Dokën të dëmtuar si dhe Mauexhe nuk do të jetë për këtë 90-minutësh. Kukësi e ka objektiv primar Kupën e Shqipërisë, pasi në kampionat ndodhet shumë pik larg Skënderbeut, Tirana a e ka mendjen dhe te kampionat, pasi takimi i ardhshëm është me një rival direkt si Bylis. Gjithsesi, bardheblutë synojnë që ta bëjnë një edicion perfekt duke fituar Kupën dhe garantuar ngjitjen në Superiore.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.