Kukësi, fitorja shmang mbledhjen e zakonshme

Presidenti Safet Gjici është një person shumë kërkues dhe dëshiron të marrë shpjegime për çdo gjë që ndodh në skuadrën e tij. Ndonëse ishte bërë traditë mbledhja pas çdo ndeshjeje, fitorja e parë në kampionat nuk është pasuar nga analiza e zakonshme e bosit kuksian. Gjici këtë herë ka preferuar të mos marrë shpjegime të hollësishme, duke marrë në konsideratë dhe faktin se në horizont është një ndeshje e rëndësishme, ajo me Partizanin, dhe skuadra duhet ta evitojë presionin e panevojshëm. Diçka e tillë mund të jetë shmangur dhe nga raportet e vazhdueshme, që i shkojnë nga stafi teknik. Një praktikë e zbuluar nga vetë presidenti i kuksianëve pak ditë më parë. Fakti që është ende herët, presidenti i Kukësit e ka kuptuar se ekipit i duhet lënë kohë. Gjithsesi, lojtarët nuk duhet të mësohen me këtë ide, pasi në javët e ardhshme mbledhjet do të kthehen dhe kritikat nuk do të mungojnë edhe në rastin, kur rezultat do të ketë. Kujtojmë këtu që sezonin e shkuar drejtori i përgjithshëm Dritan Dervishi u largua pas triumfit 2-0 me Korabin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *