Kukësi e kërcënon me gjoba, Alla firmos në Superligën greke

Albi Alla është ndarë me kohë nga Kukësi dhe tashmë e bën edhe “de jure”, sepse firmos për Larisën në Superligën greke.

Lajmin e ka dhënë klubi grek, me një komunikatë zyrtare në faqen e vet në internet.

Qendërmbrojtësi i kombëtares sonë ka firmosur një kontratë 3-vjeçare dhe te Larisa bashkohet me shqiptarët Gertin Hoxhalli e Fatjon Andoni.

Alla e kishte deklaruar me kohë se po bisedonte me klube greke dhe se kontrata me Kukësin i kishte përfunduar, por Kukësi e priste për kupat e Europës, duke i treguar kontratën.

Pikërisht kontrata u bë “mollë sherri”, sepse kompania që përfaqëson Allën prej disa muajsh e konsideron klauzolën e kontratës si të parregullt dhe jashtë normave të FIFA-s.

Në një intervistë për “Sport Ekspres”, agjenti i Allës e ftoi Kukësin ta çonte në FIFA, nëse mendon se Alla ka gabuar.

Në njoftimin e vet Larisa specifikon që Alla është me pasaportë greke, duke u transferuar në Greqi që në moshën 3-vjeçare e duke u shkolluar në vendin fqinj, ku nisi edhe futbollin dhe firmosi kontratën e parë si profesionist me Ergotelis në Kretë. Natyrisht, Larisa e shkruan këtë edhe për të treguar që ka blerë një futbollist “vendas” dhe mbi të gjitha që nuk zë një vend komunitari në skuadër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *