Kukësi e Bylis, java e së vërtetës për Tiranën 

Ze Maria është i bindur se skuadra do të bëjë të pamundurën për t’u kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, por në horizont është finalja e Ballshit…

Olsi Avdiaj

Është misioni i (pa)mundur i kësaj Tirane! Ose më saktë prova e madhe që bardheblutë janë gati për futbollin e madh. Të mërkurën luhet Kukësi-Tirana, ndeshja e dytë e çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, ku skuadra duhet të kualifikohet me çdo kusht. Këtë e di shumë mirë edhe trajneri Ze Maria, që më parë u ka bërë të qartë lojtarëve situatën që ndodhet ekipi. Duhet të fitojnë ndeshjen në Kukës, në të kundërt, nuk kualifikohen për në turin tjetër, atë gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Gjatë gjithë këtyre ditëve, Ze Maria ka punuar me lojtarët e tij dhe ka kontrolluar me video të gjitha takimet e Kukësit në “erën Pakult”. Shkurt, bardheblutë duan të kualifikohen në Kupë. Vetë Ze Maria, që nuk do të flasë para kësaj ndeshje të rëndësishme është shprehur kështu, në fund të sfidës me Tomorin. “Mund të them, që në sfida si me Kukësin, stimujt vijnë vetë. Kukësi është ndeshje e madhe dhe lojtarët kanë dëshirë të tregojnë veten në fushën e lojës. Dua që në Kukës të jetë një ndeshje e hapur me dy skuadra që ta luajnë kualifikimin. Barazimi i shkon për shtat Kukësit, ndërsa ne shkojmë për ta fituar ndeshjen. Tani duhet të përgatitemi mirë në fazën mbrojtëse ndaj Kukësit, sepse atje na pret një betejë e vërtetë ku ne duhet të japim 200% nga vetja jonë”.

BYLISI – Për Ze Marian dhe gjithë skuadrën, kualifikimi në gjysmëfinale është objektivi kryesor i sezonit, pasi në të kundërt, skuadra do të vuante shumë nga ana financiare sezonin e ardhshëm. Tirana, po kështu, duhet të thyejë edhe statistikat, që vitet e fundit janë të errëta për bardheblutë. Tiranës për t’u kualifikuar, i duhet çdo barazim me dy gola e sipër, ose çdo lloj fitore, pasi takimi i parë në kryeqytet është mbyllur 1-1. Nga ana tjetër, mendja është edhe te fundjava, me transfertën delikate në Ballsh. Ngjitja në Superiore nuk është aspak e garantuar, duke parë se Bylisi është vetëm 7 pikë larg pas fitores në Pogradec. Nëse i llogaritet edhe një fitore e mundshme në ndeshjen e prapambetur në Shënkoll, Bylisi shkon -4 dhe takimi direkt bëhet finale, sepse fitorja e Bylisit shkurton në vetëm një pikë diferencën në krye, duke e bërë fazën play-off një luftë të vërtetë, me sfidën në tiranë që do të vendosë gjithçka. Rrezik që Tirana nuk dëshiron ta ndërmarrë, ndaj në Ballsh do të luhet për fitore, ose të paktën barazim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *