Kukësi do titullin këtë javë, mundësia për “hakmarrje”

0

Jurgen Zela

Në historinë e Kukësit do të shkruhet një kapitull i ri, më i bukuri i gjithë historisë së klubit, nëse në fund të 90-minutëshit të ndeshjes me Skënderbeun rezultati përfundimtar do të tregojë se do të jenë ata fituesit. Titulli kampion është shumë pranë, ose ashtu siç thotë presidenti Gjici, tashmë e ka kaluar dhe tunelin dhe i ka mbetur vetëm ajo pjesë e fundit e autostradës, që është më shumë në zbritje, por që në realitet me Skënderbeun nuk do të jetë aspak e tillë, sepse përballë do të jetë pikërisht kampionia në fuqi. Një synim madhor është shkurorëzimi i korçarëve, të cilët kanë vënë diktatin prej më shumë se gjysmë dekade, duke fituar gjashtë tituj rresht. Nuk do të jetë aspak e lehtë, megjithatë tashmë me plot gojën kjo ndeshje mund të cilësohet finale dhe si e tillë gjithçka mund të ndodhë. Të gjithë në Kukës duan ta fitojnë titullin që këtë javë. Sigurisht që arsyeja kryesore është se në shtëpinë e tyre do të kishin mundësinë që ta festonin të gjithë bashkë, me tifozët ne tyre. Më shumë se kjo, verilindorët i tremben dhe diçka tjetër. Nëse çështja e titullit nuk do të zgjidhet këtë javë, në Gjirokastër e dinë se nuk do të jetë aspak e lehtë. Në transferta Kukësi ka treguar se nuk është ekipi më i mirë dhe Luftëtari në gjuetinë për vendin e katërt, do të synojë që në shtëpinë e tij të mos dalë pa pikë. Një barazim me Skënderbeun do e kthente në një detyrim të pashmangshëm fitoren në Gjirokastër.      

PRECEDENTI

Kanë kaluar 383 ditë që kur Kukësi ka humbur për herë të fundit në shtëpi, pra para më shumë se një viti. Një rekord tjetër që i shtohet Kukësit, që kështjellën “Zeqir Ymeri” e ka pikën e tij më të fortë. Me Skënderbeun e ditur është që verilindorët do të synojnë të arrijnë fitoren, për të siguruar matematikisht titullin e parë në histori. Statistikat flasin për një Kukës që ka një bilanc pozitiv, por vetëm me një fitore epërsi. Në 21 ndeshjet mes kupës dhe kampionatit, Kukësi ka arritur që të fitojë 8 përballje, kundrejt 7 të korçarëve. Në 6 raste takimet janë mbyllur pa fitues. Në Kukës, Skënderbeu ka arritur që të fitojë vetëm një herë në kampionat, por ai triumf i ka vlejtur sa i gjithë sezoni. Pikërisht dy vite më parë vendoste një gol i Sabien Lilajt, i cili vuloste titullin kampion që merrte rrugën drejt Korçës duke i larguar nga lufta për titull rivalët e vetëm të Kukësit. Humbja e vetme në shtëpi e Kukësit, por që djeg shumë. Normalisht që këtë sezon do të kërkohet në një far mënyre dhe hakmarrja për atë humbje që dy sezone më parë i hoqi të njëjtën gjë që synojnë këtë vit. Tashmë situata është ndryshe, pasi asokohe ishin korçarët ata që udhëhiqnin klasifikimin me një pikë më shumë se vendi i dytë. Në të njëjtin stadium, me të njëjtët personazhe, do të luhet për të njëjtin trofe, Kukësi apo Skënderbeu, do na e thotë nata e 20 majit do na zbulojë ndoshta kampionët e edicionit të 78-të të Superiores.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here