Kukësi dënon dhunën, por dhe… gjyqtarin

Klubi i Kukësit ka reaguar zyrtarisht për ndeshjen me Laçin. Klubi verilindor denoncon dhunën në Laç, duke e konsideruar si të papranueshme edhe për faktin se është e përsëritur. Kampionët bëjnë me dije se i kanë paraqitur dhe në FSHF akuzat e tyre. Ajo që çudit më shumë është fakti se Kukësi ka rezerva për gjykimin, në rastin e penalltisë së akuzuar për Laçin në fundin e pjesës së parë, por dhe kartonit të verdhë për lalën nga stoli.

“Deklaratë për shtyp.

Tiranë, 24 nëntor 2017.

Dënojmë ashpër dhunë në Laç, dhe arbitrimin e ndeshjes. Klubi i Kukësit e konsideron si skandaloze dhunën e ushtruar në stadiumin e Laçit gjatë takimit të sotëm. Ndeshja nisi e tensionuar me kore masive, vuvuzela, ( që janë të ndaluara nga rregullorja e futbollit). Sharje në kor që fyenin klubin dhe lojtarët. Gjatë ndeshjes u goditën me gurë nga tifozëria lojtarët tanë, Bujar Idrizi dhe Elton Kale, ku u dha ndihma e parë nga stafi mjekësor. Klubi vendosi vijimin e lojës edhe pse u shqyrtua alternative e që të tërhiqej ekipi nga fusha e lojës. Pas ndeshjes, gjatë futjes së ekipit në dhomat e zhveshjes u godit me gurë lojtari, Albi Alla. Gjithashtu janë goditur më gurë në kokë dy tifozë të Kukësit, dhe dy të tjerë janë arrestuar. Është paradoksale të ndalohen viktimat dhe jo agresorët. Klubi disponon gjithë fotot dhe pamjet e kësaj dhune dhe do ti dërgojë në instancat përkatëse në FSHF. Gjithashtu kontestojmë gjykimin, ku mendojmë se rasti i penalltisë nuk ishte i tillë, dhe se loja e pjesës së parë bashkë me shtesën kishin përfunduar. E pafalshme ishte dhe dhënia e kartonit të verdhe lojtarit në fjalë gjatë nxehjes. Të gjitha shqetësimet tona ia kemi paraqitur dhe të deleguarit të FSHF-së. Theksojmë se nuk është hera e parë që gjatë ndeshjeve në Laç, ekipi ynë vihet përpara problemeve të tilla që cenojnë jo vetëm rregulloren e futbollit, por rrezikojnë seriozisht jetën e lojtarëve, stafit dhe tifozëve tanë. Klubi falënderon lojtarët dhe stafin që treguan shpirt të lartë gare dhe tolerancë duke rrezikuar dhe jetën, por duke luajtur si dinjitozë dhe profesionistë. Mirënjohje dhe për tifozët, të cilët iu gjendën pranë ekipit, duke sakrifikuar jo pak”, përfundon njoftimi i Kukësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *