Kukësi “bie” në Kuçovë, Naftëtari bën surprizën.

0

 

Nënkampionët e vendit mposhten 1-3 në “Bashkim Sulejmani” nga ekipi që këtë sezon militon në Kategorinë e Dytë, duke vënë në rrezik kualifikimin

NAFTËTARI-KUKËSI 3-1 

Shënues: Kopaçi 20′ 58′, Behari 65’/ Gucaj 4′ (aut)

E mërkurë, 16 shtator 2015, ora 16:00, stadiumi “Bashkim Sulejmani”, Kuçovë

Naftëtari: Kora, E. Kajo, Gucaj (Lleshi 67’), S. Gega, Daci, Xh. Kajo, Koroveshi (Pepa 84′), Kopaçi, Behari, Hysko, A. Gega

Trajner: F. Bacaj

Kukësi: Koliçi, Jonuzi, Ndoni, Çema (Mici 37′), Musolli, Kruz, Nika, Veliu, Rama, Dhima (Hasani 59′), Lima

Trajner: H. Lika

Kartonë të verdhë: Daci 90’/ Hasani 90′

Gjyqtarë: M. Dyrmishi, E. Malo, M. Qose

Naftëtari bën surprizën e madhe në këtë fazë të parë të Kupës së Shqipërisë. Kuçovarët mposhtin në fushën e tyre Kukësin me rezultatin 3-1. Finalistët e këtij kompeticioni sezonin e shkuar nuk kanë mundur të bëjnë asgjë përballë skuadrës që këtë vit do të militojë në Kategorinë e Dytë. Një rezultat që ka sjellë entuziazëm në radhët e Naftëtarit dhe tifozëve bardhezinj, ndërsa Kukësi tashmë i del përpara detyra për të përmbysur këtë rezultat në ndeshjen e kthimit.

PJESA E PARË– Kukësi tregon menjëherë supermacinë e tij përballë Naftëtarit, duke kaluar në avantazh. Në minutën e 4-t, Gucaj për vendasit devijon në mënyrë të pavullnetshme një top të ardhur pas goditjes së dënimit ekzekutuar nga ekipi verilindor. Por, goli i pësuar nuk ndikon në lojën e kuçovarëve, të cilët nisin ofensivën drejt portës së Kukësit. Në minutën e 20-të, është Florian Kopaçi që realizon pas një asist perfekt të dhënë nga Ardian Gega. Pavarësisht rasteve për shënim nga të dyja ekipet, pjesa e parë përfundon në barazim 1-1.

PJESA E DYTË– Starton me ritëm të lartë nga të dyja kampet. Por në momentin që pritej reagimi i Kukësit, është Naftëtari ai që surprizën miqtë, duke kaluar në avantazh sërish me anë të Kopaçit në minutën e 58-të. Kukësi shokohet, ndërsa ky gol karikon edhe më shumë Naftëtarin, që nën ndikimin e tifozërisë në shkallët e stadiumit zhvillon një ndeshje në limitet e perfektes. Verilindorët përpiqen të barazojnë përmes gjuajtjeve nga distanca, goditjeve të dënimit, por pa sukses. “Goditja” finale për Kukësin në këtë takim do të vinte në minutën e 65-të. Këtë herë është Behari që kërcen bukur në zonën kundërshtare dhe me kokë e çon topin në rrjetë. 3-1 për kuçovarët, që deri në fund të sfidës mbrojnë me fanatizëm këtë rezultat.

PAS NDESHJES: 

Fatmir Bacaj, trajneri i Naftëtarit: “Zhvilluam një ndeshje mjaft pozitive duke dhënë maksimumin ndaj një kundërshtari me potencial siç është skuadra e Kukësit. Objektivi ynë në këtë kompeticion është modest, por gjithçka do t’ia lëmë fushës së lojës. E merituam fitoren, por për sa i përket kualifikimit, dua të them se asgjë nuk ka mbaruar, pasi ka një ndeshje tjetër, shumë herë më të vështirë se kjo e zhvilluar sot (dje)”, deklaroi trajneri i Naftëtarit.

Hasan Lika, trajneri i Kukësit: Nuk u prononcua   

Tifozët kuçovarë optimist për kualifikimin

Të pranishëm dje në stadiumin “Bashkim Sulejmani” kanë qenë gati 700 tifozë të Naftëtarit, të cilët kanë karikuar përgjatë 90-minutave skuadrën e tyre të zemrës. Rezultati në fundin e takimit kundër Kukësit ka bërë që fansat kuçovarë të tregohen optimistë për një kualifikim të mundshëm për në turin e dytë të Kupës. Por fakti që Naftëtari ka arritur dje një fitore bindëse ndaj nënkampionëve të vendit ka bërë që tifozët të besojnë se bardhezinjtë këtë sezon do të jenë një nga pretendente kryesore për t’u ngjitur në të Kategorinë e Parë.   

 

GRUPI B

Burreli- Tërbuni          0-0

Ada-Teuta            1-5

Kamza-Elbasani       4-2

Iliria-Adriatiku          1-0

Naftëtari-Kukësi          3-1

Erzeni-Tirana        0-1

Oriku-Flamurtari          1-2

Kastrioti-Besëlidhja 1-0

 

Edi SPAHIU

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.