Kukeli: Nëse De Biazi ma kërkon, bëj qendërmbrojtësin

0

Burim Kukeli ka mbushur tashmë 33 vjeç, por vazhdon të luajë në nivel të lartë, duke qenë pikë kyçe te FC Zyrihu dhe duke qenë mjaft i vlerësuar edhe nga trajneri ynë Xhani De Biazi, i cili sheh te Kukeli një lojtar ekspert, inteligjent në fushë e jashtë saj, i aftë të luajë në disa role. Mesfushori nga Kosova ka lëshuar një intervistë të gjatë për “konica.al”, ku ka prekur tema të ndryshme, duke nisur nga kombëtarja dhe aktivizimi i mundshëm si qendërmbrojtës në Itali, ku do të na mungojnë Mavraj e Gjimshiti.

“Është një emocion i madh të luash me një ekip si Italia, me lojtarët më të mirë dhe kundër formacionit ndoshta më të mirë në grupin tonë. Italia merr pjesë në çdo Europian e Botëror dhe ka futboll të mirë. Në ndeshjen miqësore që kemi luajtur me Italinë mendoj se kemi bërë lojë të mirë. Kemi humbur 1-0, por tani kemi mundësinë të kthejmë reston. Shpresoj të bëjmë një ndeshje të mirë dhe, pse jo, të marrim pikë. Ne si objektiv kemi fitoren në çdo ndeshje, pavarësisht se kundër kujt dhe ku luajmë. Por duke parë që luajmë jashtë fushe dhe me një ekip si Italia, do ta quaja pozitive një pikë. Unë si qendërmbrojtës? Në këtë pozicion kam luajtur edhe në Europian dhe me Izraelin gjithashtu disa minuta. Është një pozicion që mundem të luaj. Si të vendosë trajneri, unë kam për detyrë të luaj kudo që të caktojë dhe ta ndihmoj sa më shumë ekipin.

Sezoni me Zyrihun: “Më shumë kam luajtur në rolin e mesfushorit, duke udhëhequr ekipin në topin e parë. Në këtë rol jam më i sigurt, është pozicioni im i preferuar. Por si qendërmbrojtës kam luajtur edhe te Zyrihu, edhe në Kombëtare. Këtë sezon te Zyrihu deri tani na ka shkuar shumë mirë. Fatkeqësisht e humbëm ndeshjen e parë të sezonit, por më pas fituam disa ndeshje. Kemi kohë të përmirësohemi dhe të marrim pikët që na nevojiten. Superliga zvicerane ka ekipe më të mira dhe me kualitete, por edhe në ligën e dytë të Zvicrës nuk është e lehtë, pasi luftojnë të gjithë dhe në fund ngjitet vetëm një ekip, pa harruar luftën që bëhet për mbijetesë. Ka ekipe të forta si Ksamaks, Servete e Arau, kështu që edhe kjo ligë është shumë e vështirë”.

Sadiku u transferua në janar nga Zyrihu te Lugano: “Mungesa e tij është ndjerë shumë, jo vetëm tani, por edhe në fillim të sezonit kur ai ishte i dëmtuar. Kualitetin e Sadikut nuk e ka çdokush, kështu që mendoj se një lojtar i tillë i mungon çdo ekipi në kampionatin ku po luajmë. Tani që ka ikur është më e vështirë për ne, por kështu është futbolli, por duhet pranuar edhe e ardhmja e tij”.

E ardhmja e Kukelit: “Së pari, të ngjitemi në Superligë. Mendoj se jemi në rrugë të drejtë, por ende nuk e kemi arritur qëllimin, duhet të vazhdojmë për të siguruar vendin e parë sa më shpejt. Kam kontratë deri në vitin 2018 me Zyrihun. Në futboll nuk dihet kurrë se çfarë ndodh. Edhe Armando Sadiku kishte kontratë të tillë, por ja që u largua para kohe, kështu që nuk mendoj shumë larg, qëllimi primar është të ngjitim ekipin në Superligë. Dua të luaj sërish në Superligë të Zvicrës, të ecim mirë me Kombëtaren dhe të tjerat mendoj se vijnë vetë”.

Fundi i karrierës: “Bëra 10 vjet që luaj futboll këtu dhe mendoj se në Zvicër do ta mbyll. Mund të ndodhë të rikthehesha në Kosovë, por për momentin mendoj kampionatin zviceran, sepse është shumë i fortë, të jep mundësi të luash në Europa League dhe ndoshta edhe në Champions. Dëshira ime është ta përfundoj këtu në Zvicër. Dëshira ime është të bëhem trajner, e di që nuk do të jetë e lehtë, është përgjegjësi e madhe. Dua të mbetem pjesë e futbollit dhe të jam mendimin tim”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image