Kujtohet Idrizi: Nuk e di çfarë e mundon skuadrën

0

Elton Nika

Mbledhje tek Flamurtari. Në Vlorë janë të gjithë të zhgënjyer për humbjen në Laç, por mbi të gjitha për situatën, e cila vështirësohet gjithmonë edhe më tepër në kampin “kuqezi”.

Gjithsesi janë kujtuar shumë vonë për të kuptuar ndonjë gjë, sepse 10 javë nga fundi Sinan Idrizi kërkon të dijë ç’po ndodh me Flamurtarin që është një këmbë në Kategorinë e Parë. Të martën ekipi pritet të jetë në një takim me drejtuesit e skuadrës, të cilët duan mbi të gjitha të kuptojnë se çfarë nuk shkon tek vetë lojtarët,të cilët me lojën e tyre po rëndojnë gjithmonë edhe më tepër situatën. Ndoshta priten edhe ndëshkime, por gjithçka pritet të vendoset vetëm ditën e martë, gjatë takimit që e gjithë skuadra do të ketë pikërisht me drejtuesit e skuadrës.

Për “Sport Ekspres”, administratori i Flamurtarit Sinan Idrizi konfirmoi gjithçka rreth këtij fakti, duke bërë me dije se kërkon të dëgjojë nga goja e vetë lojtarëve se çfarë nuk shkon aktualisht, pavarësisht se ky i fundit nuk e fshehu zhgënjimin.

“Të them që jam i zhgënjyer, është ndoshta pak”, ka konfirmuar kreu i klubit vlonjat. “Për vetë faktin se ishte një ndeshje jetike dhe nuk e prisja humbjen, por mbi të gjitha paraqitjen e skuadrës në fushën e lojës. Lojtarët nuk dhanë asgjë nga çfarë ata kanë dhe asnjë nuk mund të më thotë se janë futbollistë pa cilësi, por nuk arrij ta kuptoj se përse jemi në këtë gjendje. Nuk e di se çfarë dhanë në Laç, në një ndeshje që gjithkush e dinte se sa e rëndësishme ishte për Flamurtarin, por jam totalisht i zhgënjyer. Nuk di se çfarë të them më shumë, por ditën e martë skuadra do të jetë në një mbledhje apo takim. Quajeni si të doni vetë ju. Dua të dëgjoj nga goja e vet lojtarëve se çfarë nuk shkon, se cili është problemi që jemi në këtë gjendje dhe këtë situatë. Çfarë halli kanë dhe se çfarë i mundon që nuk arrin të dalin dot nga kjo gjendje. Gjoba? Jo, mos të flasim tani për gjoba, kur dua të ulem dhe flas me lojtarët. Gjobat janë të lehta për t’u vënë. Tifozët? Kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer edhe unë i tillë ndihem. Nuk e prisja këtë humbje, aspak. 6 pikët? Prapë aty ju? Ato janë pikë që i takojnë Flamurtarit. Ne jemi 28 pikë. Këtë  duhet ta dimë të gjithë. Ato janë pikë që duhet të na rikthehen dhe ne do të luftojmë t’i marrim. Por të martën nuk dua të flas për këto gjëra, por faktin se çfarë ngërçi ka ekipi”, konfirmon për “Sport Ekspres” administratori i Flamurtarit.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here