Kujt i duhet Kutinjo? Guardiola thyhet në Liverpul!

Mançester Siti është ende i pakapshëm në krye, por ëndrra për të mbyllur sezonin pa humbje është shuar sot, kur Liverpuli e mundi 4-3 në Anfield.

Një ndeshje e madhe, nga ato që bëjnë krenarë anglezët, që mburren se kanë kampionatin më të bukur në botë.

Një sfidë që pati gola e emocione pa fund, aq sa edhe kur u duk se mori fund, me Liverpulin që kryesonte 4-1, sërish u ndez nga dy gola të Sitit në fund, duke e bërë shtesën një dramë më vete.

Që në minutën e nëntë Okslejd-Çembërlejn shënoi për Liverpulin, por në fund të pjesës së parë Sane barazoi shifrat.

Në pjesën e dytë Liverpuli tregoi se Kutinjo nuk i duhej, sepse Firmino (59’) me një gol spektakolar, Mane (61’) po ashtu e Salah (68’) me një parabël nga distanca e largët i dhanë tre goditje të rënda Sitit.

Megjithatë, mbrojtja e Liverpulit mbetet e zakonshme dhe Bernardo Silva në minutën e 84-t e Gyndogan në të 91-tën rihapën gjithçka, me minuta ankthi për The Reds, që gjithsesi rezistuan. Pikë të arta për Liverpulin, në garën për një vend në Champions, ndërsa Guardiola thuhet për herë të parë, në një sezon madhështor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *