Kualifikuese U-19/ Bogdani shpall listën: Kam marrë më të mirët, do ta provojmë ndaj rivalëve superiorë

0

Trajneri Erjon Bogdani ka dalë sot para medieve për të prezantuar listën e futbollistëve që do të nisin përgatitjet për eliminatoret e Kampionatit Europian, ku në turin kualifikues do të ndeshemi me Ukrainën, Malin e Zi dhe Norvegjinë, muajin e ardhshëm (4-10 tetor). Bogdani u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, duke bërë një pasqyrë të punës së kryer për hartimin e listës finale, duke analizuar kundërshtarët dhe duke treguar synimet e tij për këto kualifikuese.

OBJEKTIVAT – “Që në konferencën e parë si trajner i Shqipërisë U-19 kam deklaruar se objektivi është përgatitja e sa më shumë talenteve për ekipin U-21. Për ndeshjet e radhës, në tetor, synimi është dhënia e maksimumit dhe pas këtyre tre ndeshjeve do të dalim në një konkluzion se si jemi paraqitur”.

PAK LOJTARË NGA SUPERIORJA – “E vërtetë, janë pak lojtarë, me Isufin që luan te Vllznia, por duhen llogaritur edhe Haxhiu i Partizanit, por edhe Elvi Berisha mund të konsiderohet pjesë e kampionatit tonë, duke qenë se sapo ka ikur. Unë do ta ndjek gjithnjë kampionatin tonë, për momentin kam gjykuar se këta lojtarë janë më të mirët”.

SYNIMET PËR REZULTATE – “Natyrisht që rezultatet janë pjesë e futbollit dhe synimi është të marrim rezultate të mira, por edhe evidentimi i lojtarëve për të ardhmen dhe t’u japim mundësi të tregojnë sa vlejnë. Megjithatë, grupi është shumë i vështirë, Ukraina e Norvegjia ishin në 1/8-at e Kampionatit Europian, edhe pse me një moshë tjetër, por kanë ende disa lojtarë nga ato skuadra. Duke parë listën tonë, pozitive është që shumë lojtarë janë të datëlindjes 2000, lojtarë të mirë dhe që do të vlejnë edhe për të ardhmen, por negative është që kemi një skuadër me moshë më të vogël se kundërshtarët”.

LISTA – “Lista është optimalja. Kam vëzhguar rreth 70 futbollistë dhe këta lojtarë kam përzgjedhur si më të mirët për këto eliminatore”.

SHUMË LOJTARË NGA ITALIA E GREQIA – “Kam vëzhguar shumë lojtarë dhe këta që kam përzgjedhur më kanë dhënë garanci, duke u paraqitur mirë në turneun që kemi fituar dhe në miqësoret e fundit. Në të ardhmen do të provojmë edhe më shumë lojtarë, të datëlindjes 2000”.

TALENTET QË MUND TË VLEJNË PËR U-21 – “I kam këshilluar ndonjë lojtar Bushit, kemi disa lojtarë cilësorë, por nuk kam qejf të përmend emra. Këta lojtarë kanë talent, por duhet të punojnë shumë dhe të përmirësohen, duke u stërvitur dhe luajtur sa më mirë, për të kapur Shpresat dhe më pas kombëtaren e madhe”.

ZVICRA, JASHTË VËMENDJES – “Përpara disa muajsh kam qenë në Zvicër, ku Federata një grumbullim për të parë lojtarët e datëlindjeve 99-2000. Ishin shumë lojtarë nga ekipet më të mira që nuk erdhën dot dhe nuk munda t’i shoh, por pashë të tjerë, të cilët i futa në konkurrencë me ata që kam grumbulluar dhe këta që kam përfshirë në listë mendoj se janë më të mirët”.

LOJTARËT E SUPERIORES NUK PO LUAJNË – “E vërtetë, por janë lojtarë mjaft të rinj dhe është pozitiv fakti që këta lojtarë stërviten me ekipet e para, duke fituar eksperiencë, duke u stërvitur me lojtarë të mirë dhe duke gjetur ritëm e cilësi, ndaj i ndihmon shumë, edhe nëse luajnë rregullisht në ekipet e para. Thjesht të qenit pjesë e ekipit të parë është diçka shumë pozitive”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here