Kualifikimi dhe zhgënjimi, Cungu dhe Çareviç flasin pas ndeshjes

0

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu foli pas ndeshjes së Kupës kundër Apolonisë, ku pranoi se kjo ishte një sfidë shumë e vështirë dhe një kualifikim jo i thjeshtë për të tijtë. Mes të tjerash, numri një i pankinës verilindore, u shpreh:

NDESHJA – “Nuk ishte e thjeshtë, për shkak edhe të rezultatit të ndeshjes së parë. Edhe në këtë ndeshje kundërshtari kishte menduar më shumë për mbrojtjen dhe rreshtohej me shumë forca mbrapa. Ishin 11 futbollistë afër zonës së tyre dhe ishte e vështirë t’i çaje. E njëjta gjë na ndodhi edhe në Fier.

MUNGESAT – “Ky nuk është justifikim për të mos qenë më i bukur në zhvillimin e lojës. Kishim momente jo të mira, kishim pasiguri, si rezultat edhe i mungesave të rëndësishme si Uilliam, Dzaria që na jep ekuilibër. Në këto kushte, çaluam disi. Shto këtu edhe presionin. Futbollit nuk i dihet kurrë, me djem të ri dhe kur nuk ke çfarë humb, mund të ketë edhe surpriza.

SULMI ME DY – “Nuk është çështje hipoteze sulmi me dy, e kam provuar dhe në Turqi. E provova dhe në ndeshjen e parë kundër Fierit, por kjo nuk do të thotë se nuk do të provojmë dhe në kampionat. Por për të filluar takimin me dy, nuk mendoj se është zgjedhja e duhur. Janë lojtarë të ndryshëm dhe duan kohën e tyre për tu përshtatur. Koha jonë nuk pret dhe zgjedhjet e mia dihen.”

RAMA – “Është një lojtar që nuk ka nevojë për reklamë. Është një futbollist me kualitet, e shihni dhe ju në mënyrën se si ai luan dhe pason për shokët. Unë thjesht shoh gjendjen e tij fizike. Me aq sa kemi biseduar, na ka thënë se është i stërvitur, por gjithçka do t’ia lëmë kohës”,- tha Cungu pas ndeshjes.

Ndërsa zëvendëstrajneri i Apolonisë, Stefan Çareviç tha se ishte shumë i lumtur për ndeshjen që skuadra fierake bëri, përballë një rivali shumë të fortë. Pasi iu thuri elozhe të tijve, Çareviç foli edhe për futbollin shqiptar, si dhe për afrimet që Apolonia ka bërë.

NDESHJA – “Jemi shumë të zhgënjyer për eliminimin, pasi patëm shumë raste të pastra për të shënuar. Bëmë një ndeshje shumë të mirë përballë një skuadre me buxhet të madh dhe që synon të shpallet kampion. Dua t’iu uroj fat atyre.”

FUTBOLLI SHQIPTAR – “Ka shumë vend për përmirësim në futbollin shqiptar. Ne po bëjmë një punë shumë të shpejtë, pasi nuk kemi shumë kohë. Po flas për klubin tonë. Do të shikojmë në të ardhmen se çfarë do të ndodhë me futbollin shqiptar.”

AFRIMET – “E gjithë skuadra jonë bëri një ndeshje shumë të mirë, të gjithë lojtarët ishin në një ritëm të lartë. Ata që kanë ardhur janë ambientuar shumë mirë dhe kanë gjetur hapësirat e tyre. Bënë një performancë shumë të mirë dhe të vazhdojnë me këto ritme.”

SULMI – “Mihana ka treguar një nivel shumë të lartë, ka qenë në provë në një skuadër Kroacie. Aty u provua në një skuadër dhe mungoi në disa seanca stërvitore te ne. Është diçka normale që nuk bëri një ndeshje perfekte, por bëri një ndeshje të mirë. Shpresoj të jetë në 100% për ndeshjet e ardhshme”,- u shpreh zv. trajneri Çareviç.

Stefan Çareviç, zevendestrajneri i Apolonise
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.