Ku humbëm kështu?!

0

Koment nga Anton Cicani

“Askush s’mund të godasë më shumë se sa jeta, ndaj duke ecur përpara nuk është e rëndësishme se si godet, por se si i reziston goditjeve dhe, nëse bie në tapet ke apo jo forcën për t’u ringritur. Kështu je një fitues!”…

Nuk jam i sigurt nëse nga futbollistët e kombëtares, të cilët kanë zbritur në fushë këto ndeshjet e fundit, ka ende nga ata të cilët s’e parë filmin e famshëm “Rocky”, por jam i sigurt që kuqezinjtë ndodhen në një situatë që s’e kishin menduar pas Europianit.

Ndoshta përqindja e “alkoolit” në entuziazmin e thithur në Francë ende është duke i lënë ndjesinë e dehjes dhe marramendjes së bukur, njësoj sikur je gjithmonë në ndjekje të fluturës, e cila lëviz më ngadalë se ty, por ndërron shpesh trajektore dhe të çorodit. Ashtu është edhe jeta. Duhet të mësohesh me drejtimet që të ofron.

Të kritikosh sot djemtë e kombëtares për rezultatet e dobëta të koleksionuara deri më tani është gjëja më e lehtë që mund të bësh. Të godasësh trajnerin, gjithashtu do të ishte një veprim burracakësh. Por, më e keqja nga të gjitha është që të merresh edhe me tifozët dhe braktisjen apo protestat e tyre. A nuk ishte ky uniteti që na dalloi në Europian?! A nuk ishte kjo kombëtare ajo që na dha mundësinë të kalonim një verë ndryshe nga ato që ishim mësuar të shihnim, teksa duartrokisnim ekipet e tjera dhe bënim sikur nuk e dëgjonim himnin e tyre?

Kemi humbur busullën, sigurisht, të gjithë bashkë, por një detar që ka provuar vështirësitë më parë, e di mjaft mirë se si mund t’i mbijetojë një stuhie dhe të mbërrijë në breg, aty ku do të ketë kohë të reflektojë. Kemi edhe shumë ndeshje përpara dhe fati ynë më i madh është ky. Kemi kohën e mjaftueshme të ribashkohemi: lojtarë, trajner, tifozë dhe medie.

Të gjithë bashkë, drejt një qëllimi, ai që na dha gëzimin më të madh. Nuk mund të qëndrojmë në tokë, ashtu, duke u dergjur dhe pritur fundin, për t’u kthyer aty ku ishim, ku edhe pse s’na mungonte dëshira, cilësia dhe pasioni, sërish katër elementët nuk bashkëvepronin.

Sot, më shumë se kurrë, duhet të provojmë të “rigjenerohemi”, të gjejmë vetveten dhe të kujtojmë atë që bëmë muaj më parë, kur e pamundura u bë e mundur.

Grushtet që kemi marrë janë të shumtë, sigurisht, por nëse kemi mësuar diçka nga ky komb është krenaria! Ajo që na është prekur më shumë se kurrë dhe që ka nevojë të rizgjohet. Ndryshe, do të mbetemi aty, në tapet, në pritje të një mrekullie, që këtë herë ndoshta s’do të vijë…

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image