Kthehet Zhufo, ka shpresa dhe për Bicajn ndaj Laçit

Flamurtari duhet të bëjë kthesën këtë javë. Veç Useinit dhe Sidibesë, kthehet edhe braziliani. Mbeten jashtë Muarem, Nurkoviç dhe Tunkara

Elton Nika

Periudhë e vështirë në Vlorë, pas dy humbjeve radhazi me Luftëtarin dhe Vllazninë. Më shumë “djeg” humbja e thellë në Shkodër, pavarësisht mungesave të shumta që kishte skuadra vlonjatë në atë transfertë. Por ka edhe lajme të mira në këtë moment për trajnerin Shpëtim Duro. Mesfushori brazilian Zhufo është rikthyer në stërvitje, duke u përgatitur me grupin. Po shihet me kujdes edhe gjendja e mbrojtësit Ditmar Bicaj, por ka optimizëm se do të jetë plotësisht gati për takimin e radhës në kampionat, atë përballë Laçit në transfertë. Zhufo qëndronte jashtë skuadrës prej një muaji për shkak dëmtimi. Dje ka nisur stërvitjen me grupin dhe deri ditën e ndeshjes me Laçin do të vendoset, nëse do të jetë në gjendje të luajë apo jo. Gjithsesi, rikthimi i tij në stërvitje është diçka pozitive për vlonjatët, që gjatë kësaj periudhe kanë vuajtur mungesat e shumta. Stërvitje individuale ka zhvilluar Ditmar Bicaj dhe shpresohet shumë se deri të shtunën mbrojtësi do të jetë gati të zbresë në fushë nga minuta e parë. Për takimin me Laçin, veç Bicajt dhe Zhufos, Flamurtari do të ketë edhe dy rikthime të tjera të rëndësishme, mesfushorët Sidibe dhe Useini, që kanë shlyer pezullimin njëjavor të kartonëve në Shkodër.

MUNGESAT – Flamurtari do të vijojë me mungesa në Laç, këtë radhë vetëm për shkak dëmtimesh dhe jo kartonësh. Portieri Nurkoviç, i cili u dëmtua në ndeshjen me Luftëtarin, kërkon ende kohë për riaftësimin, por edhe Muarem e Tunkara, dy nga blerjet e janarit, nuk do të jenë gati. Të tre lojtarët janë larguar nga Vlora dhe po zhvillojnë terapi intensive jashtë kufijve. Portieri Adis Nurkoviç ndodhet në Bosnjë, Muarem në Turqi dhe Tunkara pranë ish-ekipit të tij në Itali, Lacios. Pritet që ata të rikthehen në skuadër në fund të muajit mars, pra gati në finishin e sezonit. Flamurtari të shtunën do të luajë në Laç, më pas pret Kamzën në shtëpi dhe udhëton drejt kryeqytetit për të luajtur ndaj Partizanit. Më pas kampionati ndërpritet për shkak të miqësores së Kombëtares, por këto tri ndeshje janë shumë të rëndësishme dhe lojtarët e dëmtuar nuk do të jenë gati. Trajneri Duro duhet t’i përballojë me grupin që ka aktualisht në dispozicion. Me rifillimin e kampionatit, Flamurtari luan me Kukësin në Vlorë, ku Nurkoviç, Muarem dhe Tunkara pritet të jenë gati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *