Kthehet Cicmil: Gati për Tiranën

0

Gaspër MARKU

Vllaznia fillon sot përgatitjet për ndeshjen e javës së 27-të të kampionatit dhe duket se për transfertën me skuadrën bardheblu do të jetë përgjithësisht e plotë për sa i përket kontingjentit të lojtarëve. Ky është padyshim një lajm shumë i mirë për teknikun Cungu, pasi në krahasim me ndeshjet paraardhëse, kur sistematikisht ka pasur mungesa, skuadra është gati në këtë aspekt. Më së shumti me interes është pritur rikthimi i malazezit Stefan Cicmil, mungesa e të cilit ka krijuar jo pak problem për ndërtimin e formacionit, aq më tepër kur në fushë kanë munguar për arsye dëmtimi apo skualifikimi edhe titullarë të tjerë të repartit të prapavijës.

DËMTIMI – Ishte minuta e 88-të e ndeshjes së parë të vitit 2017,  Vllaznia-Kukësi, kur në një dyluftim malazezi Stefan Cicmil u dëmtua rëndë. Prej asaj dite, shtatlarti i mbrojtjes kuqeblu qëndroi larg skuadrës për dy muaj. Për një muaj ishte në patronazhin e stafit mjekësor, duke kryer një terapi intensive, dhe më pas ndoqi një program individual, kryesisht me vrapime dhe ushtrime aerobike. Dy javët e fundit ai nisi punën me ekipin dhe tani duket gati: “Realisht, nuk e prisja rikthimin në një kohë kaq të shpejtë. Në analizat dhe konsultat me mjekët specialistë në Shkodër dhe Tiranë, por edhe në Mal të Zi, më thanë se kisha humbur sezonin”, – shprehet për “Sport Ekspres” Cicmil. Ai gjen rastin të falënderojë stafin mjekësor të Vllaznisë, që ka punuar me përkushtim të madh me të, duke bërë të mundur që të lërë tashmë gjithçka pas.

RIKTHIMI – Sinjalet e para të rikthimit të Cicmilit u dhanë në javën e 26-të, kur trajneri Cungu e kishte në stol, madje në minutat e fundit të ndeshjes provoi ta hidhte në fushë. Surpriza në një farë mënyre e Cungut ishte se malazezi nuk do të luante në rolin e stoperit, por në vijën e parë, duke përforcuar sulmin kuqeblu me tre futbollistë. Duke ia njohur vlerat që ka në lojën në ajër, ku nuk kanë munguar edhe golat me kokë në ndeshje të veçanta të kampionatit, trajneri i Vllaznisë i kërkoi pikërisht këtë gjë në ato pak minuta. Për takimin e radhës, duke iu referuar përgatitjeve të javës së kaluar, Cicmil është dukur krejtësisht i gatshëm për t’i shërbyer ekipit. Megjithatë, për të qenë apo jo nga minuta e parë, atë e vendos vetëm trajneri Cungu.

FITORE NË KRYEQYTET – Si pjesa tjetër e skuadrës, edhe Cicmil mendon se ndeshja me Tiranën është mjaft e rëndësishme. Sipas tij, kur luhet me një kundërshtar direkt, është gjithmonë e vështirë. “Për mua, Tirana duhet vlerësuar në maksimum, sepse, pavarësisht problemeve dhe oshilacioneve që ka kaluar, është një skuadër e fortë, që meriton respekt” – thotë Cicmil krahas të tjerave. Ai sjell në vëmendje ndeshjen, që kundërshtari zhvilloi ndaj Skënderbeut. Megjithatë, sipas tij, Vllaznia do të dijë të bëjë një përfaqësim dinjitoz në kryeqytet këtë fundjavë. Duke folur për “Sport Ekspres”, Cicmil thekson se ndërprerja e kampionatit i dha mundësi skuadrës së tij të korrigjojë shumë gjëra. Kjo javë ndërkohë do të jetë e tëra në dispozicion të Tiranës, ku skuadra do t’i përgjigjet kërkesave të trajnerit Cungu në aplikimin e skemave dhe taktikës, me të cilën do të përballet me Tiranën. Cicmil shprehet optimist se Vllaznia nuk kthehet pa pikë nga Tirana. Madje, për malazezin, nëse skuadra do të zbatojë si duhet detyrat e dhëna nga trajneri, por edhe duke pasur edhe pak fat, do të kthehet në Shkodër me fitore. Për aktivizimin e tij lojtari ripërsërit faktin se dëmtimin e ka lënë tërësisht pas dhe po punon intensivisht për të kapur formën e duhur sportive.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.