Kthehen dy mesfushorë, por Pejiç e Emini janë në dyshim për nesër

0

Jurgen Zela

Një “re e zezë” mbi kokën e Kukësit. Dyshja e frikshme e sulmit verilindor, Pero Pejiç dhe Izair Emini shqetësojnë trajnerin Ernest Gjoka. Të dy sulmuesit kanë pësuar dëmtime në ndeshjen e kampionatit në “Selman Stërmasi”, ndaj Tiranës dhe prezenca e tyre në ndeshjen e dytë çerekfinale mbetet në pikëpyetje. Kroati ka probleme me kaviljen ndërsa tetovari ka pasur shqetësime në pjesën e jashtme të gjurit dhe dje nuk janë stërvitur me ekipin, por kanë vijuar terapinë në palestër. Pejiç dhe Emini ishin vendimtarë në takimin e javës së 21-të, pasi golat e tyre në pjesën e dytë i dhanë tre pikët Kukësit, duke zhvlerësuar golin e Afrim Takut në pjesën e parë. Gjasat janë që sulmuesit të mos jenë të gatshëm për ndeshjen e së mërkurës, që do të zhvillohet në “Zeqir Ymeri”, por Kukësi ka një organikë mjaft të pasur dhe mund të jetë shansi i artë për Sindrit Gurin dhe Lukas Rangel, për të treguar vlerat e tyre. Mundësi mund të jetë dhe për Kufre Ebong, i cili pritet të bëjë debutimin me verilindorët.

KUPA – “Ne i duam të gjithë trofetë. Unë them se do të kualifikohet Kukësi. Lojtarët e mi do të motivohen kaq shumë sa ju do të shikoni ndeshjen në Kukës. Arsyeja është se ne duam Kupë dhe Kampionat. Nuk kemi hequr dorë as nga Kupa dhe as nga Kampionati, pavarësisht se objektiv madhor kemi Kampionatin”, ishin disa nga fjalët që presidenti Safet Gjici tha i ftuar dy ditë më parë në “Ora Skaner”. Numri “1” i verilindorëve u tregua i prerë se ekipi i tij do të hynte në fushë, për të shkuar në gjysmëfinale, paçka se ndeshja e parë ka përfunduar në favor të bardhebluve (2-1). Gjici njihet si një nga presidentët më kërkues dhe ambiciet e tij për trofe kanë qenë gjithmonë të deklaruara. Këtë sezon, madje, gjithçka nisi nga Superkupa e fituar në “Selman Stërmasi”. Pavarësisht se rruga në kampionat, që është dhe objektivi kryesor, është ajo e duhura, mbetet të shihet nëse dhe kupa do të marrë vëmendjen e nevojshme, për t’i shkuar deri në fund, pasi kuksianët në vitet e fundit i kanë prekur në katër raste gjysmëfinalet.

KAMPIONATI – “Kampionati kalon nga Laçi”, ishte një ndër shprehjet më të përdorura në studiot televizive, sezonet e shkuara. Teksa, të gjitha ekipet e kishin të vështirë të dilnin me pikë të plota nga fusha e kurbinasve, të cilët pikërisht brenda mureve kanë krijuar atë traditë që deri përpara pak kohësh ishte e jashtëzakonshme. Menjëherë pas ndeshjes së kthimit me Tiranën, Kukësin e pret një ndeshje mjaft e vështirë, pasi java e 22-të rezervon transfertën e Laçit. Me synimet për të ruajtur ritmin në krye të tabelës dhe mbajtjen zero të kolonës së humbjeve, verilindorët do duhet të kalojnë një nga kundërshtarët  më të vështirë. Në fazën e parë “Derbi i Veriut” u nda në një barazim pa gola. Të dy ekipet do të kenë impenjime në kupë në mesjavë, po pavarësisht kësaj, gjithmonë përballjet mes Laçit dhe Kukësit kanë qenë të ndezura.    

Hasani dhe Lena, të gatshëm

Mesfushorët Nijas Lena dhe Edon Hasani do të jenë të gatshëm për trajnerin Ernest Gjoka. Të dy futbollistët shlyen kartonët e marrë dhe si për ndeshjen çerekfinale të kupës ashtu dhe për ndeshjen e javës së 22-të me Laçin. Sëpaku për ndeshjen me Laçin pritet dhe riaftësimi i mesfushorit Bedri Greca dhe mbrojtësit Entonio Pashaj, por për ta do të mësohet ditët në vijim nëse do të vihen nën urdhrat e stafit teknik brenda kësaj jave.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here