Ksavi: Unë, kurrë si Murinjo! Barça-Inter? Do të jetë si në 2010

Ksavi Hernandez është një nga lojtarët më të mëdhenj që ka pasur ndonjëherë historia e futbollit dhe për këtë gjë pak persona mund të kenë dyshime. Spanjolli kaloi thuajse të gjithë karrierën e tij te Barcelona dhe në vitin 2015 u largua drejt Katarit, për t’u bërë pjesë e Al Sad. Ish-kapiteni i katalanasve po luan aktualisht sezonin e tij të katërt në Katar, që duket se do të jetë dhe i fundit për të si futbollist.

Ksavi, tashmë 39-vjeçar ka folur për mediat, teksa ka deklaruar se tashmë me shumë mundësi do të përqendrohet për t’u bërë trajner. Spanjolli gjithashtu ka folur në lidhje me ndeshjen e nesërme, që Barça do të luajë ndaj Interit, teksa kujton dhe eliminimin që pësoi Barça e tij pikërisht nga Interi në vitin 2010.

E ARDHMJA – “Jam 99% i sigurt se ky do të jetë sezoni im i fundit me futbollin e luajtur. Jam 39 vjeç tashmë dhe është normale që të ndihesh i lodhur dhe i gatshëm për të bërë gjëra të reja. Tani po mendoj që të bëhem trajner, por akoma nuk e kam vendosur përfundimisht. Nuk është koha për të zyrtarizuar lamtumirën, por në mendjen time është krijuar tashmë rruga që do të ndjek”.

STILI I LOJËS – “Murinjo është një trajner shumë mbrojtës dhe të luaje ndaj Interit të tij nuk ishte aspak e lehtë. Ai është stili i tij dhe këtë stil loje kishte edhe te Çelsi apo te Reali. E gjitha është te detajet e vogla, të mbyllësh hapësirat dhe mos ta lejosh kundërshtarin të ketë mundësi. Unë preferoj një stil tjetër. Nuk po e kritikoj stilin e tij, thjesht mua nuk më përshtatet një lojë e tillë dhe ekipet e mia kurrë nuk do të zgjedhin atë lojë”.

BARCELONA-INTER – “Do të jetë njësoj si në vitin 2010. Barcelona do të dominojë gjithçka dhe do të komandojë lojën, ndërkohë Inter do të kërkojë për Perishiç ose Ikardi që të kapë në befasi. Ish-shokët e mi janë favoritë, do të mbajnë topin dhe do të mundohen të krijojnë sa më shumë probleme për Interin. Nuk është e lehtë të shkosh në “Camp Nou” dhe mos të vuash. Inter ka një avantazh, pasi mungesa e Mesit është diçka që ndihet. Është më i miri që kam luajtur ndonjëherë dhe mund të bëjë diferencën në çdo çast. Mesi është lojtari më i mirë i të gjithë kohërave”, përfundoi Ksavi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *