Kryeziu e Muriqi paralajmërojnë Azerbajxhanin

Hekuran Kryeziu, mesfushori i Kosovës, në Supersport para ndeshjes me Azerbajxhanin foli për përgatitjet dhe situatën te skuadra e Bernard Shaland. “Stërvitja shkoi mirë, si çdo seancë. Provuam disa skema taktike dhe goditje standarde. Për këtë arsye ishte e mbyllur seanca”, u shpreh fillimisht mesfushori i Zyrihut.

“Jam gati fizikisht. Për shumë lojtarë është një periudhë e mirë. Kemi 2-3 mungesa për shkak dëmtimesh, por kemi lojtarë. Besoj do vazhdojmë me rezultate pozitive”, shtoi Kryeziu, i cili më tej foli edhe për Azerbajxhanin.

“Kemi parë disa video të Azerbajxhanit. Duhet të fokusohemi të punojmë, nëse bëjmë punën tonë si ekip, atëherë do të marrim rezultat të mirë edhe në Azerbajxhan”, përfundoi mesfushori i Kosovës.

Edhe sulmuesi Vedat Muriqi u shpreh optimist para ndeshjes me Azerbajxhanin. “Atmosfera është e mirë dhe jemi gati. Konkurrenca? Jemi gati unë dhe Atdheu. Po kalojmë formë të mirë edhe me klubet tona. Kemi të njëjtin stil, vendos trajneri kush luan. Kemi raport të mirë, në ka ecur edhe muhabeti dhe rrimë në të njëjtën dhomë”.

“Ecuria në Turqi? Nuk kemi pasur rezultate në katër javët e para. Kemi edhe Samir Ujkanin aty. Kemi qenë pafat, ndeshjen e fundit pësuam dy gola në fund. Kam luajtur të gjitha ndeshjet. Shpresoj të vazhdoj kështu”.

“Bunjaku trajner te Rizespori? Do kishte qenë interesante të punoja me të. Te kombëtarja ishte tjetër, pak seanca punonim dhe kushtet atëherë nuk ishin të mira. Do ishte diçka ekstra të punoja në klub”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *