“Kryeministri të mos bëjë këto deklarata”! Duka reagon për përgjigjen e Ramës: Jepi si fasonët atëherë…

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se nuk do të ndihmojë aspak klubet e futbollit për këtë periudhë të krizës. Madje akuzat do të shkonin edhe më tej, duke u shprehur se ekipet janë si fasonët dhe nuk i deklarojnë rrogat e plota.

Në intervistën e dhënë për “Report TV”, Duka e ka ftuar Ramën që të jetë më i kujdesshëm me të shprehurin, ndërsa nga ana tjetër i kërkon që nëse e mendon këtë lloj krahasimi (klube-fasone), atëherë t’u jap atyre paratë si të ishin të tilla. Pra jo duke u shmangur tërësisht nga përgjegjësia dhe për të mos hedhur asnjë fond, ndërsa ajo që kërkohet është një minimum jetik.

“Në fakt nuk e kam dëgjuar atë që ka thënë kryeministri sot, por ajo çfarë ne kemi kërkuar është që t’i sigurohet një minimum jetik futbollistëve, një minimum jetik këtyre njerëzve që meren me futbollin. Nëse ka keqinterpretime sipas dëshirave të njerëzve nuk bëhet fjalë për futbollistë të pasur, bëhet fjalë për njerëz që duhet të mbijetojnë dhe ta kalojnë këtë situatë. Dhe kur flasim për futbollistë, trajnerë e tjerë… nuk janë vetëm atë të kategorisë Superiore, por janë shumë të tjerë të kategorive më inferiore që futbollin e kanë profesion. E para kryeministri bën mirë mos ti bëjë këto deklarata sepse e komandon ai qeverinë dhe ti kontrollojë. E dyta le t’i japë aq sa deklarojnë. Nëse deklarojnë sa një fason, le t’u japë sa një fason”, tha Duka. /Sport Ekspres/