“Kryeministri Rama është tifoz i Partizanit”, flet Safet Gjici: Rrogat te Kukësi? Të presin kur të iki Koronavirusi

Safet Gjici ka qenë i pranishëm në “E diela Proces”, atje ku ka folur për situatën e futbollit dhe të Kukësit në veçanti, pas prekjes nga Koronavirusi. Presidenti i Kukësit është shprehur me besim se do të vijë edhe një ndihmë nga ana e shtetit, pavarësisht braktisjes së saj, duke u shprehur edhe me humor se kryeministri i vendit është tifoz jo vetëm i Juventusit, por edhe i Partizanit.

“Ne kemi shpresë që futbolli shqiptar të ndihmohet nga shteti pasi është prekur nga Koronavirusi sepse kemi problemet tona. Edhe pse qeveria ka vështirësi tani në fondet për mbrojtjen e qytetarëve për shkakun e mbylljes së bizneseve, por duhet të kuptojmë që nga qeveria presin të gjithë aktualisht. Mbi të gjitha është jeta e njerëzve kryesore dhe pastaj do të vijë edhe futbolli.

Kryeministri është tifoz i futbollit dhe jo vetëm i Juventusit, por edhe i Partizanit. Këtë periudhë nuk kam qenë afër futbollit pasi kam qenë në krye të punës në Bashki. Ne jemi pyetur edhe për mbylljen e parakohshme të kampionatit, por unë kam qenë kundër. Ulja e pagave? Do të shohim situatën nga Koronavirusi kur të mbyllet, kur përfundon dhe nuk e kam dhënë ende rrogën e marsit. Të shohim ndihmën nga shteti, UEFA dhe Federata”, tha Gjici. /Sport Ekspres/