Kryeministër, e more vesh që sot iku De Biazi?

Nga Anton Cicani

“Faleminderit De Biazi, por do të sekuestrojmë pasaportën. Nuk ke nga të ikësh”… Sa fjali e bukur e thënë nga i pari vendit, kryeministri Edi Rama që, pasi politizoi futbollin shqiptar dhe e kthehu në fushatë kombëtaren kuqezi, duke përfituar nga arritja e Europianit, ka thuajse gjashtë muaj që është zhdukur nga radarët…

Sa keq që Juventusi është ekip Italian, sepse ndryshe do të duhej që edhe Andrea Anjeli do të ishte pjesë e një fushate politike, ashtu sikurse bënë Elseid Hysaj dhe Armando Sadiku. Fundja, “qëllimi justifikon mjetet”, thoshte Nikolo Makiaveli, i cili në librin “Princi” e kishte fjalën për prijësit, ata që janë të paskrupullt vetëm e vetëm që të dalin në interesat dhe ambicjet personale.

Kështu funksionon, “mister De Biasi”… Dje ishe “Skënderbeu”, sot je ne palën e “Otomanit”, ndërsa nesër askush s’do të kushtojë asnjë status. Kualifikimi në “Francë 2016” ishte arritja më e madhe e të gjithë shqiptarëve, jo e politikës, që e “privatizoi” atë moment, teksa në studiot e ndryshme bënin grushte kush t’i dërgonte ftesë dhe të merrte “ok”. Ishte koha për t’u mbuluar me lëvdata dhe me dafinë mbi kokë.

Ishte koha kur edhe kryeministri Rama udhëtoi në Itali e më pas në Francë, duke bërë fotografi të ndryshme dhe vërtetuar se meritë për kombëtaren dhe arritjen ka edhe ai. U fut në mes të një raporti mes Dukës dhe trajnerit De Biazit, për të “trazuar” letrat deri te skena e shoferit të autobuzit nga Rinasi për të shoqëruar ekipin. Video që bënë xhiron e botës…

Sot, De Biazi iku, dha dorëheqjen, ose më saktë, e detyruan ta jepte, siç edhe pritej (të mos bëjmë rolin e strucit që fut kokën poshtë dhe harron se ka trupin lart), por kryeministri ndalet te goli i Sadikut ndaj Izraelit dhe fushata e tij… Fundja, çfarë i duhet më De Biazi, ai e bëri detyrën e tij…

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *